Klaidi Mustaj, 26 vjeç, efektiv policie nga Fieri i cili u kthye në “heroin e ditës” të premten pasi shpëtoi katër persona që udhëtonin me një automjet tip “Benz”, i cili u përmbys mbrëmjen e kaluar në Qafën e Koshovicës, ka thyer heshtjen.
Në një intervistë për mediat shqiptare, ai ka thënë se veproi instinktivisht për të nxjerrë trupat nga makina, e cila mori flakë pak çaste më vonë.
Sipas tij, pavarësisht se aty ndodheshin rreth 30 persona, askush tjetër nuk ndërhyri për të ndihmuar.
Pas ngjarjes, polici hero ka marrë shumë falënderime nga qytetarë të thjeshtë dhe u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve gjersa gjithashtu, u nderua nga Policia e Shtetit.
Mustaj u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të shmangur tragjeditë.