Policia e Kosovës ka marrë informacion se më 1 nëntor një person, M. V., shtetas i Kosovës me nacionalitet serb, dyshohet të jetë plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës, në afërsi të Leposaviqit.
Sipas informacioneve nga dëshmitarët, disa persona të maskuar hynë në territorin e Kosovës, plagosën dhe rrëmbyen viktimën, e cila më pas u dërgua në Serbi, drejt qytetit të Nishit, me një autoambulancë.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet relevante të drejtësisë, ka nisur menjëherë hetimet.
“Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar. Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, thuhet nga Policia.
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka intervistuar dëshmitarët dhe ka iniciuar rastin në konsultim me prokuroren e Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.