Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë detaje nga takimi i mbyllur për media që pati me dhomat ekonomike, me përfaqësues të sindikatave të punëtorëve të sektorit privat në kuadër të dialogut social për çështjen e rritjes së pagës minimale.
Murati, nëpërmjet rrjetit social Facebook, bëri të ditur se në takim mori parasysh propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, njofton Dukagjini.
Megjithatë, Murati thotë se për rritjen e pagës minimale duhet të merren parasysh edhe kushtet e tregut dhe kapacitetet e ndërmarrjeve.
“Njëkohësisht, rritja e pagës minimale duhet të marrë parasysh edhe kushtet e tregut, dhe kapacitetin absorbues nga ana e ndërmarrjeve. Si qeveri, pagën minimale e rritëm për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi, dhe premtuam që paga minimale do të rishikohej çdo vit. Nga takimi dola më i informuar, dhe patjetër që do ti kem parasysh të gjitha sugjerimet e rekomandimet kur të bëj propozimin e pagës minimale të re për miratim në Qeveri”, ka shkruar Murati.