17-vjeçari nga Ferizaj, i cili dyshohet se më 9 dhjetor ka abuzuar ose e ka dhunuar seksualisht një 13-vjeçar nga Fushë-Kosova, është arrestuar sot dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Dhunimi, i cili dyshohet se erdhi nga kontakti që këta dy të mitur e kishin krijuar përmes Tik-Tokut, sipas ekspertëve të kësaj fushe flet për rreziqet nga rrjetet sociale dhe mundësitë e keqpërdorimit të të dhënave personale që mund të sjellin shantazh e keqpërdorim të të rinjve.
“Kryesisht shkon me edukim medial nëpër shkolla që me i mësu ata paraprakisht ata se si me i përdorë këto media sociale qysh nga shkolla fillore e pastaj vjen edhe kontrolli i prindit në atë kuptimin me e kufizu atë ose me kontrollu kohën sa e kalojnë në media sociale, por njëkohësisht me fol për këto keqpërdorime që ndodhin në mediat sociale”, ka deklaruar Festim Rizanaj – Hibrid.info.
Raste si ky i 13-vjeçarit dhe po ashtu i një 11-vjeçareje për të cilën TV Dukagjini raportoi të mërkurën, e cila po ashtu është dhunuar seksualisht nga një 30-vjeçar, sipas sociologëve, flasin për një zinxhir shoqëror të shkëputur, që nuk funksionon.
“Të mos hyjmë në ato suazat e kodit penal edhe formësimit të legjislacionit tek ne, por në shumicën e rasteve po shihet që nuk kemi formë adekuate të parandalimit të recidivizmit edhe shpërfaqjes së përsëritjes së krimeve të ndryshme pra këtu nevojitet një zingjir ose një hallkë e bashkëveprimit duke ia nisur prej institucioneve, prej gjyqësisë prej qendrave korrektuese në rehabilitim apo ri-integrim me një fjalë një shërim social të plotë të delikuentëve apo që kanë kryer krime, diçka këtu nuk po përshtatet diçka po qalon edhe po na shfaqet recidivizmi”, ka theksuar Genc Xërxa – Sociolog.
Sociologu Xërxa vlerëson se duhet emancipim shoqëror edhe përmes sistemit arsimor, duke mos i lënë anash as shembujt e shteteve si Australia të cilat e kanë ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.