Rubin dëshmon për të tretën ditë radhazi në Speciale

Dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan, James Rubin, për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, do të vijojë edhe të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ndërkaq, gjatë së martës Rubin ka thënë se fillimisht SHBA-ja kishte hezituar të mbështeste UÇK-në, duke e përshkruar atë si organizatë me “aktivitete terroriste”.

Megjithatë, qëndrimi ndryshoi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, duke e parë këtë si hap vendimtar në drejtim të bashkëpunimit politik.

“Për një periudhë të caktuar, derisa e kuptuam mirë situatën, fillimisht e përshkuam atë si një organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste, dhe sigurisht që nuk donim të lidhnim apo të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste. Ky qëndrim ndryshoi më pas, pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë, dhe e konsideruam se ishin në ‘anën e engjëjve’ pasi nënshkruan marrëveshjen e paqes”, tha Rubin.

Në dëshminë e tij, Rubin u shpreh se raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë shpesh ishin të pasakta, ndaj dhe ai kishte qenë skeptik për raportin e vitit 1998 mbi rrëmbimin e civilëve dhe policëve serbë nga njerëz të lidhur me UÇK-në.

“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh”, tha Rubin.

Ish-diplomati amerikan u pyet edhe për një artikull të gazetës The New York Times, i cili fliste për vrasje të brendshme brenda UÇK-së. Rubin tha se nuk e kujtonte artikullin, por shfaqi dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.

“Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar fjali që kanë qenë të rreme”, tha Rubin gjatë seancës.

Duke komentuar mbi Gjykatën Speciale, Rubin e kritikoi mbajtjen e të akuzuarve për pesë vjet në paraburgim, pavarësisht dorëzimit të tyre vullnetar.

“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson”, tha Rubin.

Ai theksoi gjithashtu se UÇK-ja nuk kishte një komandë të centralizuar ushtarake, por SHBA-ja e shihte Thaçin si udhëheqës të pranuar nga vetë shqiptarët. Rubin kujtoi edhe një bisedë telefonike të qershorit 1999 mes Thaçit dhe presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, gjatë së cilës Thaçi ishte zotuar për mbrojtjen e pakicave, pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve.

Sipas tij, Thaçi kishte qenë i detyruar të merrte miratimin nga eprorë të caktuar, gjë që sipas Rubinit tregon kompleksitetin e strukturës së UÇK-së në atë kohë.

“Pra, unë atë e kam parë si ministër të Jashtëm, që pasqyronte pikëpamjet e ushtrisë së vet dhe të qeverisë së vet, që nënshkruante, pra ashtu si një ministër i Punëve të Jashtme”.

Të fundit nga rubrika