James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i shtetit, tha se dje i janë bërë pyetje shumë për Adem Demaçin, por ai nuk e ka thënë një gjë të rëndësishme. Sipas tij, gjëja e rëndësishme që duhej të thoshte ishte se Demaçi ishte ekuivalenti i Nelson Mandeles sepse ishte i burgosur për shumë vite.
Ai tha se Demaçi kishte një pushtet moral të jashtëzakonshëm ndaj lëvizjes për çlirim, raporton Betimi për Drejtësi.
“Dje më bëtë shumë pyetje për zotin Demaçi dhe unë nuk u përgjigja në diçka të rëndësishme. Ky person ishte me status në lëvizjen e tyre. Ky është ekuivalenti i Nelson Mandeles madje që ishte burgosur për shumë e shumë vite dhe kishte një pushtet moral të jashtëzakonshëm ndaj lëvizjes për çlirim. Pra, kërcënimet nuk kanë qenë fizike se ju përdoret fjalën kërcënim”, tha Rubin.
Këtë deklarim, Rubin e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Faynor i cili është gjyqtari i tretë me radhë që e merr në pyetje këtë dëshmitar.
I pyetur lidhur me strukturën e UÇK-së, dëshmitari ripërsëriti atë që e deklaroi edhe një ditë më parë, duke thënë se nuk ka parë batalione, brigada apo njësi në UÇK.
“Nuk besoj se ka ekzistuar nga pikëpamja ushtarake ky lloj organizimi. Nga ato që kam parë unë, asnjëherë nuk më quan të mendoj se ekzistonin struktura të tilla”, tha Rubin.
Ai gjithashtu u pyet edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, për çka deklaroi se me shumë mundësi e ka diskutuar këtë çështje me Thaçin dhe mendon se ka bërë përpjekje lidhur me këtë temë.
Me kaq përfundoi pyetjet gjyqtari për të vazhduar me rimarrje në pyetje na mbrojtja e Thaçit, avokati Luka Mishetiq.
Pyetet nëse Thaçi e kërcënoi Surroin në Rambuje, Rubin: Dallohet kërcënimi fizik nga ai moral
Rubin u pyet nëse Hashim Thaçi kishte kërcenuar Veton Surroin dhe Dukagjin Goranin gjatë negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes në Rambuje.
Për këtë, dëshmitari tha se nuk është në dijeni dhe se tha duhet të bëhet dallimi i kërcënimit fizik nga ai moral, raporton Betimi për Drejtësi.
Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një video-dokumentar i BBC-së, në të cilin reporteri thoshte se fokusi ka qenë tek delegacioni shqiptar. Ai thoshte se ky delegacion kishte zgjedhur një person pa përvojë dhe të ri si udhëheqës të tyre, Hashim Thaçin. Tha se i terë delegacioni e nxiti Thaçin që ta pranonte marrëveshjen por që ai refuzoi sepse marrëveshja nuk kishte përfshirë asgjë me pavarësinë.
Aty u tha se një person me emrin Dugi Gorani thoshte se delegacioni e emëroi Thaçin si drejtues duke mos e ditur se mund të ktheheshin në të burgosurit e tyre.
Veton Surroi kishte thënë se ishte një “po” e shkëlqyer nga të gjitha anët, me përjashtim të Thaçit që ishte shumë i prerë, ngase “tha jo”.
Gorani vazhdoi duke thënë se Thaçi ishte shumë i perë dhe i tha delegacionit ‘shikoni ky dokument, ky formulim është tërësisht i papranueshëm.
Surroi tha se Thaçi përdori gjuhën kërcënuese- dhe mund të kuptohej si kërcënim. E Gorani tha për Thaçin se iu kishte thënë se kushdo që e nënshkruan tani këtë dokument, do ta konsideronte atë si armik të kombit.
Rubin theksoi se mendon se këta dy persona nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së në delegacion dhe e njihte vetëm Surroin.
I pyetur se a ishte në dijeni se tërthorazi ose qartazi Thaçi kishte bërë kërcënim ndaj këtyre personave. Rubin tha se duhet të ndahet kërcënimi fizik nga ai moral.
“Ta ndajmë pak kërcënimin fizik nga ai moral. Jo, nuk kam qenë në dijeni të ketë pasur kërcënim fizik por e di që ka pas presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesore për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që edhe Madeleine Albright e ka kërcënuar Hashim Thaçin. E ka kërcënuar dhe i ka thënë se po nuk nënshkrove po i le njerëzit të pambrojtur nga serbët dhe sigurisht dëgjova që është kërcënuar edhe zoti Demaçi”, tha James Rubin.
Trupi gjykues ka pranuar transkriptat e incizimeve të 3 shtatorit 2023 nga objekti i paraburgimit. Prokuroria kishtë kërkuar zëvendesimin e transkriptes me një version të përditësuar. Meqë nuk pati kundërshtime nga palët, versioni i rishikuar i këtyre trasnkriptave u vendos në prova materiale.
Gjithashtu, u urdhërua që disa materiale bashkë me përkthimet përkatëse të riklasifikohen si publike.
Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit ngjashëm si në dy ditët paraprake.