Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka folur për takimet që ka pasur me përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës së luftës.
Rubin ka thënë se me Jakup Krasniqin është takuar në prill të vitit 1999 dhe më herët në Konferencën e Rambujesë, por nuk i kujtohet nëse ka pasur takime të tjera.
I pyetur për takime me Kadri Veselin, Rubin tha se nuk mund të përgjigjet sepse nuk i kujtohet, ndërsa për Rexhep Selimin u shpreh se është e mundur që ta ketë takuar.
“Është e mundur që po, kam takuar shumë komandantë të UÇK-së, por nuk më kujtohen gjithmonë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”, ka theksuar ai.
Ai shtoi gjithashtu se nuk e kujton nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje.
Rubin u pyet edhe për një “mbledhje të mbyllur” gjatë luftës me krerët e UÇK-së, për të cilën tha se nuk i kujtohej saktë, por theksoi se nuk ishte ndaluar asnjëherë të merrte pjesë në mbledhjet e komandantëve të UÇK-së.