Rusia akuzon Ukrainën për vrasjen e 27 personave në sulm me dron

Një kishë duke u djegur pas një sulmi nga burra të armatosur në Makaçkala, Dagestan, Rusi, 23 qershor 2024.

Autoritetet ruse kanë akuzuar Ukrainën për vrasjen e të paktën 27 personave gjatë një sulmi me dron në natën e Vitit të Ri, që sipas tyre ka goditur një festë në një hotel dhe kafene në rajonin jugor të Khersonit, i cili ndodhet nën pushtim rus.

Guvernatori i emëruar nga Moska në Kherson, Vladimir Saldo, tha se sulmi ndodhi në fshatin Khorly, në bregun e Detit të Zi, dhe se më shumë se 30 persona të tjerë janë plagosur. Ai pretendoi se sulmi u krye me tre mjete ajrore pa pilot (UAV) që goditën drejtpërdrejt një kafene dhe hotel.

Ukraina, e pyetur nga BBC për koment, refuzoi të reagojë drejtpërdrejt ndaj pretendimeve të autoriteteve të vendosura nga Rusia në territoret e pushtuara, por theksoi se respekton normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe se kryen sulme vetëm ndaj objektivave ushtarake.

Ndërkohë, agjencia AFP citoi një burim nga forcat mbrojtëse të Ukrainës, i cili konfirmoi se një sulm ka ndodhur, por tha se objektivi ishte një grumbullim ushtarak, i cili sipas tij ishte i mbyllur për civilët.

Pretendimet për numrin e viktimave nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur nga BBC. Saldo deklaroi gjithashtu se e ka informuar personalisht presidentin rus Vladimir Putin për sulmin.

Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë tha se është në dijeni të raportimeve për këtë sulm dhe se do të verifikojë dëmet e mundshme ndaj civilëve, duke i përfshirë gjetjet në raportet e ardhshme.

Fotografi të publikuara nga mediat shtetërore ruse tregojnë një ambient të rëndë të dëmtuar me çati të shembur, ndërsa në një prej tyre shihet një trup i mbuluar me çarçaf. Autoritetet ruse nuk specifikuan saktësisht vendndodhjen, por ndërtesa e dëmtuar duket të jetë një hotel-restorant trekatësh, i njohur më parë si “Ukrainian House”, e që tani mban emrin “Buganova’s Cafe”.

Komiteti Hetimor i Rusisë njoftoi se ka hapur një hetim penal për sulmin, ndërsa Ministria e Jashtme ruse akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se po përpiqet të “frikësojë popullsinë e rajoneve të ribashkuara ruse”, duke iu referuar referendumeve të vitit 2022, të cilat Ukraina dhe aleatët e saj i kanë cilësuar si të paligjshme dhe të inskenuara.

Rusia aktualisht kontrollon më shumë se gjysmën e rajonit të Khersonit, të cilin e shpalli të aneksuar në vitin 2022.

Sulmi i pretenduar vjen në një kohë kur përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës po vazhdojnë. Në fjalimin e Vitit të Ri, presidenti Zelensky deklaroi se një marrëveshje me Rusinë, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, është “90 për qind e gatshme”.

Më herët gjatë javës, Rusia akuzoi Ukrainën për një sulm me dron ndaj një rezidence të presidentit Putin, akuza të cilat Kievi i mohoi kategorikisht. Ndërkohë, shërbimi i inteligjencës së jashtme të Ukrainës paralajmëroi se Rusia po përgatit “provokime të shkallës së gjerë me viktima njerëzore”, me qëllim sabotimin e bisedimeve për paqe.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika