Rusia kryen sulme vdekjeprurëse në Ukrainë teksa Zelensky niset drejt Parisit në kërkim të armëve

Rusia i ka vazhduar bombardimet vdekjeprurëse mbi qytetet ukrainase, duke i vrarë të paktën tre njerëz në rajonin e Harkivit gjatë natës, thanë zyrtarët lokalë të hënën.

Sulmet u kryen derisa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po përgatitet për ndalesën e radhës në turneun e tij në kryeqytetet evropiane për të gjetur më shumë mbështetje.

Shërbimet e Emergjencës së Ukrainës raportuan të hënën se tre njerëz u vranë dhe të paktën 13 të tjerë u plagosën, përfshirë katër fëmijë, nga një sulm rus në qytetin lindor Balaklia, një nyje e rëndësishme hekurudhore në rajonin e Harkivit.

Vitaliy Karabanov, kreu i administratës ushtarake në Balaklia, tha se sulmi goditi qendrën e qytetit dhe plagosi të paktën tre fëmijë. Nëntë persona u shtruan në spital, ndërsa ekipet e emergjencës ndodheshin në vendngjarje, shtoi ai.

Hollësi nga këto sulme nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur, dhe nuk është e qartë se cilat objekte u goditën. Balaklia u pushtua nga forcat ruse menjëherë pasi Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të viti 2022, por u rimor nga forcat ukrainase disa muaj më vonë.

Rusia i ka rritur sulmet ndaj objekteve energjetike ukrainase me afrimin e muajve të dimrit, duke ngjallur frikë për mungesë të energjisë elektrike gjatë motit të ftohtë. Moska i ka goditur gjithashtu rregullisht zonat civile ukrainase, megjithëse e mohon se shënjestron objekte të tilla.

Ndërkohë, Zelensky e ka nisur një udhëtim në kryeqytete e rëndësishme evropiane në përpjekje për të siguruar furnizim me energji dhe armë për Ukrainën, e cila po përballet me ofensiva të vazhdueshme ajrore dhe tokësore nga Rusia.

Në Francë, pastaj në Spanjë

Zelensky pritet të mbërrijë në Paris sot, për t’u takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron – i cili është mbështetës i fuqishëm i Ukrainës. Takimi i parë mes tyre pritet të zhvillohet në bazën ajrore Villacoublay jashtë kryeqytetit.

Zelensky ka thënë se “një marrëveshje e madhe me Francën” është duke u përgatitur, por nuk është e qartë nëse gjatë kësaj vizite të tij do të ketë ndonjë njoftim të rëndësishëm.

Ai u ka kërkuar partnerëve perëndimorë raketa shtesë me rreze të gjatë për t’i goditur raketahedhësit thellë brenda Rusisë. Franca më parë ka premtuar të dërgojë raketa Aster me rreze të mesme për mbrojtjen e Ukrainës.

Lideri ukrainas do të udhëtojë për në Spanjë më 18 nëntor.

Për të zbutur krizën energjetike të shkaktuar nga sulmet me raketa ruse, Zelensky ishte në Athinë të dielën, ku nënshkroi një marrëveshje për të importuar gaz natyror të lëngshëm të furnizuar nga Shtetet e Bashkuara duke filluar nga muaji i ardhshëm deri në mars 2026.

Ky veprim erdhi ndërsa Zelensky u zotua ta reformojë sektorin energjetik të vendit, i cili është përfshirë nga skandale, në përpjekje për të zbutur zemërimin pas akuzave për korrupsion të përhapur.

Më 10 nëntor, agjencia kundër korrupsionit e Ukrainës njoftoi për një “operacion të gjerë”, duke ngritur dyshime për dhjetëra miliona dollarë korrupsion në sektorin e energjisë.

Zelensky tha të dielën se drejtuesit e të paktën tri kompanive shtetërore të energjisë do të shkarkohen dhe do të zëvendësohen shpejt, dhe se ndryshime të tjera janë duke u përgatitur.

Mbetet për t’u parë nëse këto ndryshime do të jenë të mjaftueshme për të zbutur trysninë ndaj Zelenskyt dhe për t’i kënaqur aleatët perëndimorë të Kievit, të cilët kanë kërkuar që ai të bëjë më shumë për ta ndalur korrupsionin endemik ndërsa vendi vazhdon të luftojë kundër pushtimit të plotë rus./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Dita e fundit e Panairit të Librit në Tiranë, “Dukagjini”...

Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia Botuese Dukagjini ka rrëmbyer vëmendjen e vizitorëve...

Të fundit nga rubrika