Gazetari Naim Sadiku ka komentuar vendimin e radhës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Në FIVE të Dukagjinit, Sadiku vlerësoi se ky është vetëm vazhdimi i një “skenari të vjetër politik” që, sipas tij, po e luan Lëvizja Vetëvendosje përballë publikut.
KQZ certifikon kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, refuzon Listën Serbe
“Në këtë rast, kjo është një vazhdim i skenarit të një filmi që quhet Vetëvendosje. Po e luan këtë lojën politike. Për ta paraqitur para publikut se ne jemi kundër Listës Serbe. Ndërkohë vetë instancat të cilat i udhëheq LVV-ja nuk bëjnë veprime paraprake për të ia pamundësuar garimin në zgjedhje Listës Serbe, siç është MPB, MPJD-ja, që mund të marrim vendime… dhe jo të vihet në një momentin, ku dihet që PZAP-ja e Gjykata Supreme do t’i përmbys të gjitha vendime e tilla, sikur i ka përmbysur vendimet e kaluara…”, ka thënë Sadiku.
Ai theksoi se KQZ-ja e ka marrë këtë vendim duke e ditur se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e më pas edhe Gjykata Supreme, do ta rrëzojnë, ashtu siç ka ndodhur në rastet e kaluara ku Lista Serbe nuk ishte certifikuar fillimisht.
Sadiku kritikoi edhe partitë opozitare, të cilat sipas tij po tregojnë mungesë të theksuar guximi.
Ai tha se abstenimi i tyre gjatë votimit në KQZ nuk është i papritur, pasi ato e dinë që vendimi do të rrëzohet në instancën e dytë, në PZAP.
“Kjo është pasojë edhe e mungesës së guximit të partive opozitare. Mungesës së guximti për tu përballur me këto aspektet ligjore, kur është në pyetje qoftë edhe Lista Serbe. Prandaj, abestojnë, kanë abstenuar sepse e dinë që instanca e dytë e rrëzon. Abestojnë për tu paraqitur në publik kësisoj, që ne mund të mos kemi bashkëpunim në të ardhmen me Listën Serbe”, ka thënë Sadiku
Vendimi i së mërkurës i KQZ-së, i cili nuk certifikoi 33 kandidatët e Listës Serbe pavarësisht rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike.