Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, 6 dhjetori ditë pushimi në Tiranë

Samiti i radhës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet më gjashtë dhjetor, ku vendi nikoqir do të jetë Tirana. Për këtë, është marrë vendim që dita e martë të jetë ditë pushimi në Tiranë, kurse po në këtë ditë, opozita ka paralajmëruar të mbajë një protestë kundër qeverisë

Foto ilustruese, Samiti BE-Ballkan Perëndimor





E marta e 6 dhjetorit do të jetë ditë pushimi në Tiranë.

Vendimi është marrë për shkak se në kryeqytetin e Shqipërisë do të mbahet Samitit i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, në këtë ditë, opozita ka paralajmëruar të mbajë një protestë kundër qeverisë.

Agjenda e Samitit BE-Ballkani Perëndimor

A2 CNN ka mësuar se për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve do të angazhohen më shumë se 1200 efektivë policie, që mes të tjerash, do të shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit.

Pas mbërritjes së tyre në Tiranë, përveç stafeve dhe personave të akredituar, do të jetë e pamundur të kalohet perimetri i sigurisë që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit “Air Albania”.

Pas pritjes zyrtare të delegacioneve nga kreu i qeverisë shqiptare, takimi me dyer të mbyllura është parashikuar të nisë rreth orës 10:30.

Në këtë tryezë do të diskutohen çështjet si Lufta në Ukrainë, kriza e energjisë, çmimi i naftës dhe gazit, siguria, sfidat e klimës si dhe bursat për të rinjtë.

Një pikë që ende nuk ka arritur në finalizim mbetet heqja e tarifave roaming për telefonatat mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Agjenda e samitit do të vijojë me takime dypalëshe ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, ndërsa me interes pritet një ballafaqim i mundshëm mes presidentit Emmanuel Macron dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që mbetet ende për t’u konfirmuar.

Punimet e samitit parashikojnë edhe një foto familjare që do të realizohet në Sheshin Italia.

Më pas, kryeministri Edi Rama, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, si dhe Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michael, do të dalin në konferencë për shtyp përpara 140 përfaqësuesve të medias, shqiptare dhe ndërkombëtare, që do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Ardhja e Emmanuel Macron do të shënojë vizitën e parë të një presidenti francez në Shqipëri.

Liderët kryesorë të unionit, pas përfundimit të Samitit, do të largohen nga Shqipëria brenda ditës të shoqëruar me të njëjtin protokoll sigurie.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për samitin e Bashkimit Evropian e Ballkanit Perëndimor që pritet të mbahet në Tiranë, më 6 dhjetor, kishte thënë se është një ngjarje historike për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur vendimin e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, më 6 dhjetor në Tiranë.

Ndër të tjera, Rama kishte thënë se Tirana nuk është më ajo e disa viteve më parë, por është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si dhe një qytet i ri evropian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës.

“Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderët e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel”, kishte shkruar Rama në Facebook.

Për Ramën, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare.

Rama: Për Tiranën, samiti BE-Ballkani Perëndimor është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj

 





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika