Të dielën nga ora 10:00 në mëngjes, pritet të marr përgjigje përfundimtare, pyetja dhe dilema që është shtruar tash e mbi 7 muaj – a i ka apo jo Lëvizja Vetëvendosje 61 vota për Qeverinë Kurti 3, dhe për mandatin e tretë si kryeministër për Albin Kurtin?
Ftesa për seancë të jashtëzakonshme ku e vetmja pikë e rendit të ditës është “Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, të premten pas orës 15:00 i është dërguar të gjithë deputetëve.
Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është paraqitur nga deputeti Glauk Konjufca, në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në dokumentin e deleguar për kryekuvendarin, Dimal Basha, nuk figurojnë 61 nënshkrime, dhe kërkesa nuk është proceduar përmes Kryesisë së Kuvendit.
Aty janë të renditura 42 nënshkrime, që të gjithë janë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partive me të cilat kanë koalicion parazgjedhor.
I fundit që nuk dha fare shpresa se do të ketë një qeveri të re, ishte kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, të enjten, Abdixhiku tha se me Lëvizjen Vetëvendosje as nuk e kanë ndër mend të hyjnë në qeveri dhe se as nuk kanë pasur kontakt me ta që nga ftesa me shkrim, për koalicion para disa muajve.
Edhe Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, është në të njëjtën vijë. Për Dukagjini ajo ka thënë se deri më tani nuk ka parë asnjë tentim të Kurtit për formim të Qeverisë, duke theksuar se ka pak shpresë që edhe të dielën do ta dëshmojë të kundërtën.
Sipas Çitakut, zgjedhjet duken të pashmangshme edhe për shkak se tentimet e mëhershme për unifikim të ish-bllokut opozitar kanë dështuar për fajin e të tjerëve.
Bazuar në këto qëndrime përfshirë edhe të partive më të vogla dhe të disa deputetëve nga komunitetet, analistët politik mendojnë se ka pak gjasa të votohet Qeveria e re të dielën.
“Mendoj se nëse nuk ka Qeveri Kurti 3 të dielën e që po duket se nuk ka me pasë atëherë nuk ka kurrfar qeveria tjetër, dmth. partitë tjera PDK, e LDK janë deklaru që nuk e kërkojnë mandatarin e dytë, as nuk tentojnë me e bë shumicën edhe nuk janë të interesum me ec në atë drejtim, ndërkohë që do të kishte me qenë absurde nëse LVV e kërkon edhe një mundësi, kur e ka këtë”, tha analisti politik, Visar Ymeri.
Është vetëm një mundësi që të mos mbahet seanca e jashtëzakonshme të dielën, dhe këtë fuqi e ka Gjykata Kushtetuese.
Në ankesën e Listës Serbe të cilën Kushtetuesja e ka në duar dhe është duke e shqyrtuar figuron edhe kërkesa për masë të përkohshme e cila nëse aprovohet mund ta bllokoj çdo zhvillim në Kuvend dhe formim të Qeverisë së re.