Seanca e jashtëzakonshme për komisionet që do i hapnin rrugë shqyrtimit të buxhetit ka mbetur e hapur sipas kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha por këtë herë nuk pati epilog.
Sipas Bashës, meqë partitë tjera kishin deklaruar se nuk e votojnë mandatarin e LVV-së, kjo ishte zgjidhja e vetme.
Seanca kishte gjithsej 9 pika rendi dite, pos komisioneve, edhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, projektbuxhetin, buxhetin për RTK-në e atë për Prishtinën, Gjilan dhe Zubin Potok.
“Për mua ka qenë e arsyeshme që ta bëj thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për t’i trajtuar këto çështje të rëndësishme për qytetarët. Jam i gatshëm që sa më parë të thërras një mbledhje të kryesisë që të themelohen komisionet. Çështjet e sotme nuk kanë të bëjnë me veprime politike”, tha Dimal Basha – Kryetar i Kuvendit.
Pak pas nisjes së kësaj seance, i vetmi nga deputetët e ish-bllokut opozitar që u paraqit aty ishte Përparim Gruda i PDK-së që e dha versionin e partisë së tij për seancën.
“Unë kam ardhur në sallë për të përfaqësuar mendimin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për të sqaruar se pse nuk marrim pjesë në seancë dhe pse kjo seancë nuk është kushtetuese – nuk e di nëse ka kuorum dhe janë 61 deputetë në sallë. Kjo seancë do të mbahet mend se të gjithë e dinë që është e paligjshme dhe jo kushtetuese – asnjë Kuvend nuk mund të mbaj seancë pa zgjedhur qeverinë. Nuk ka asnjë vend që lejon që kuvend të trajtoj çështje tjera përveç zgjedhjes së Qeverisë – midis konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë nuk lejohet që asnjë seancë mes kësaj të mbahet për asnjë çështje, Kjo është praktika e deritanishme parlamentare e Kosovës dhe kështu ndodh në të gjithë botën”, ka thënë Përparim Gruda – PDK
Por, fjalimi i tij u përcoll me shumë përplasje në foltore me nënkryetaren, Albulena Haxhiu e jashtë saj me deputetin Agim Bahtiri.
“Jeni bërë bashkë gjatë gjithë kësaj kohe dhe jeni bashkë edhe sot për të bojkotuar vendimet tepër të rëndësishme për qytetarët. Buxheti s’është i Albin Kurtit, nëse keni inati me kryeministrin Kurti, po ua bëj të qartë që buxheti është i shtetit dhe qytetarëve. Me pasë prokurori të përgjegjshme e profesionale, të gjithë ata që tentojnë ta fusin vendin në krizë sociale është dashur të përgjigjen penalisht. Ne po, kemi mundur ta bëjmë qeverinë, por ne nuk bëjmë pazare siç keni bërë ju, me tendera, me ambasada, me Listën Serbe”, ka thënë Albulena Haxhiu – Nënkryetare e Kuvendit.
Fjalën në këtë seancë e mori edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti që pati një thirrje edhe për partitë ish-opozitare.
“Të nderuar deputetë në Kosovë nuk ka krizë ekonomike në çerekun e dytë sivjet ka qenë 4.58 për qind e bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha kryeministër e tash edhe kryeministër në detyrë, asnjëherë rritja ekonomike nuk ka qenë nën 4 për qind, rritja mesatare është 6 për qind prandaj dhe nuk ka protesta të qytetarëve por ka vetëm ankesa të opozitarëve. Në Kosovë nuk ka krizë ekonomike, po rrezikojmë të kemi krizë sociale nga kriza buxhetore financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave, le të mos keqpërdorim procedurat, le të jemi në nivel të përgjegjësie si përfaqësues të popullit por edhe zyrtarë të shteti. “Qëndrimet e subjekte të cilat nuk janë të pranishme përbesë nuk kanë alibi. Nëse ne sipas tyre qenkemi vonuar pse nuk janë këtu për të na lënë neve fajin e popullit buxhetin. Nëse ne qenkemi vonuar pse nuk janë këtu të na lëni neve fajin e popullit buxhetin. Këtu është vendi për të folur e për të votuar. Mbi 200 milionë euro humbin pa kthyeshëm, 88 milionë nga Plani i Rritjes dhe 120 milionë euro nga këto tri marrëveshje të Bankës Botërore. E për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare ju e dini që nuk mjaftojmë ne, edhe po ta kishim Qeverinë sepse nevojiten 80 vota. Por interesi publik dhe e mira shtetërore e kërkon të jemi aty bashkë”, ka thënë Albin Kurti – Kryeministër në detyrë.
Me të mbyllur diskutimet mbi pikat e rendit të ditës për këtë seance, ajo u la e hapur nën arsyetimin për mundësinë për rifillimin e saj në rast ndryshimi të qëndrimeve nga partitë politike.
