Në Kuvendin e Kosovës të dielën, më 26 tetor, në orën 10:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme plenare për zgjedhjen e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili doli fitues i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, është mandatuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11 tetor për formimin e Qeverisë së re.
Ai ka afat deri më 26 tetor, pra deri të dielën, për të paraqitur përbërjen e kabinetit dhe për të kërkuar besimin e deputetëve të Kuvendit.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Kurti do të arrijë të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash për ta formuar ekzekutivin.
Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka 48 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse, ndërsa nga kjo parti tashmë kanë përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi për formimin e Qeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listën Serbe.
Sipas përbërjes aktuale të Kuvendit, PDK-ja ka 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, ndërsa koalicioni AAK–Nisma mban tetë ulëse. Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara, nëntë prej të cilave i kontrollon Lista Serbe, dhe një është fituar nga Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Dhjetë ulëse të tjera i takojnë komuniteteve të tjera minoritare.
Në rast se Kurti nuk arrin të sigurojë shumicën parlamentare, presidentja Osmani, brenda dhjetë ditësh, do të ftojë partitë politike për konsultime me qëllim caktimin e një mandatarit të ri që mund të ketë më shumë gjasa për të formuar Qeverinë.
Nëse as pas përpjekjes së dytë nuk arrihet formimi i Qeverisë, Kushtetuta e Kosovës parashikon që presidentja të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Vetë Kurti, në një deklaratë më 21 tetor, pranoi vështirësitë për sigurimin e shumicës, duke paralajmëruar se dështimi mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje.