Policia e Kosovës ka sekuestruar katër armë zjarri dhe një sasi municioni në rajonin e Prizrenit gjatë festimeve të ndërrimit të viteve, ndërsa tre persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për përdorim të armëve të zjarrit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, festimet e fundvitit në këtë rajon kanë kaluar kryesisht pa incidente madhore. Megjithatë, autoritetet kanë evidentuar të paktën pesë raste të të shtënave me armë zjarri, prej të cilave tri janë raportuar si të shtëna festive.
“Festimet e ndërrimit të viteve në rajonin e Prizrenit kanë kaluar kryesisht pa incidente madhore dhe me atmosferë festive. Megjithatë, jo të gjithë qytetarët kanë festuar në mënyrë të ligjshme. së paku në pesë raste është raportuar për të shtëna me armë zjarri, tre nga ato janë raportuar për të shtëna festive.
Gjatë kësaj periudhe, Policia ka sekuestruar: Katër armë zjarrit dhe një sasi të municionit.
Disa persona janë arrestuar, ndërsa tre prej tyre janë ndaluar për 48 orë. Lidhur me rastet e evidentuara, ndaj të gjithë personave të përfshirë është iniciuar procedura penale dhe do të ngrihen kallëzime penale.
Policia e Kosovës ka rikujtuar disa herë se përdorimi i armëve apo mjeteve të rrezikshme jo vetëm që është i kundërligjshëm, por paraqet rrezik serioz për jetën dhe pronën e qytetarëve. Përdorimi i tyre për festime bie ndesh me ligjin, andaj ndaj kujtdo që shkel ligjin, policia pa hezitim do të ndërmarrë veprimet e nevojshme, bazuar në procedurat dhe ligjet në fuqi.
Mesazhi i Policisë së Kosovës: ‘Festo me zemër, jo me armë'”, thuhet në njoftim.