Udhëheqësit republikanë dhe demokratë të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA-së kanë kërkuar nga administrata e presidentit Donald Trump sqarime ligjore dhe operative për sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, por ende nuk kanë marrë përgjigje.
Që nga fillimi i shtatorit, sulmet amerikane në Karaibe dhe Paqësor kanë shkaktuar dhjetëra viktima, duke rritur tensionet me qeverinë e Venezuelës.
Senatorët Roger Wicker dhe Jack Reed thanë se administrata nuk ka ofruar dokumentacionin e kërkuar, përfshirë urdhrat ekzekutivë dhe mendimet ligjore që mbështesin veprimet ushtarake kundër karteleve të drogës.
Në deklaratën e tyre, ata theksuan se kërkesat zyrtare të dërguara më 23 shtator dhe 6 tetor nuk kanë marrë përgjigje deri më sot. Ndërkohë, administrata Trump këmbëngul se objektivat e sulmuara ishin anije që transportonin drogë, por nuk ka prezantuar prova publike ose bazë ligjore për këtë qëndrim.
Pentagoni nuk ka komentuar ende për çështjen, ndërsa presidenti Trump ka mohuar se po shqyrton mundësinë e kryerjes së sulmeve brenda territorit të Venezuelës, duke kundërshtuar deklaratat e tij të mëparshme që nxitën pritje për një zgjerim të operacioneve në rajon, raporton Reuters përcjell Dukagjini.