Në Beograd të Serbisë është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Kjo vjen një ditë pas zhvillimeve në komunat në veri të vendit. Ishte të premten dita kur kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, një ditë pas betimit të tyre, u futën në zyrat e tyre në komuna, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.
Një masë e tillë erdhi pasi banorët lokalë serbë kundërshtuan shkuarjen e tyre aty, në zyrat që dikur përdoreshin nga zyrtarë serbë.
Nën tensionet e situatës, protestuesit hodhën gurë, dogjën veturat e Policisë së Kosovës e njëherit, gjatë grumbullimit të tyre u dëgjuan të shtëna armësh. Këto veprime të tyre detyruan Policinë që të përdorte gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit.
Megjithatë, të gjithë kryetarët e komunave veriore arritën që me asistimin e Policisë të hynin brenda komunave.
Krahas presidentit Vuçiq, në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare morën pjesë kryeministrja Ana Brnabiq, ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Milan Mojsiloviç, ministri i policisë Bratislav Gashiq, drejtori i BIA-s, Aleksandar Vulin, si dhe krerët e Shërbimet e sigurisë VOA dhe VBA.
Vuçiq, i cili është edhe komandant i ushtrisë, dje ka lëshuar urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë Serbe në nivelin më të lartë, ndërsa ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka thënë se Forcat e Armatosura janë duke u dislokuar në pozicione drejt vijës administrative, raporton Danas.