Seuli: Koreja Veriore ka lëshuar dy raketa balistike

Seuli ka thënë se Koreja Veriore ka lëshuar dy raketa balistike me rreze të shkurtër, çka përbën lansimin e dytë të tillë nga Pheniani në tri ditë

Seuli ka thënë të martën se Koreja Veriore ka lëshuar dy raketa balistike me rreze të shkurtër, çka përbën lansimin e dytë të tillë nga Pheniani në tri ditë.

Këto lansime përkojnë me kohën kur Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur stërvitjet më të mëdha ushtarake në pesë vjetët e fundit.

Stërvitjet kanë nisur të hënën dhe do të zgjasin 10 ditë.

Uashingtoni dhe Seuli kanë rritur bashkëpunimin në mbrojtje, pas rritjes së kërcënimeve ushtarake dhe atyre bërthamore nga Koreja Veriore, e cila ka testuar një seri të armëve të ndaluara në muajt e fundit.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugkoreane ka thënë se raketat kanë fluturuar rreth 620 kilometra.

“Ushtria jonë e ka rritur vëzhgimin dhe vigjilencën, në përgatitje e sipër për lansime tjera”, kanë thënë zyrtarë ushtarakë.

Zëdhënësi i Qeverisë japoneze, Hirokazu Matsuno, ka thënë se raketat nuk kanë prekur ujërat e Japonisë, ndonëse Tokio dyshon që Koreja Veriore mund të kryejë “hapa tjerë provokativë”.

Verikoreanët kanë thënë se janë duke zhvilluar një lloj rakete me rreze të gjatë, Hwasong-17.

Por, ekspertët besojnë se verikoreanët kanë dështuar disa herë në testim të Hwasong-17.

Më 2022, Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore.

Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.

Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.

Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika