Ish-avokatja kryesore e ushtrisë izraelite arrestohet pas publikimit të videos që tregon keqtrajtime ndaj një të ndaluari palestinez

Një krizë e re politike ka shpërthyer në Izrael pas arrestimit të ish-avokates kryesore të Ushtrisë së Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneral-majores Yifat Tomer-Yerushalmi, e cila dha dorëheqjen javën e kaluar pas publikimit të një videoje që supozohet të tregojë keqtrajtime të rënda ndaj një të arrestuari palestinez.

Tomer-Yerushalmi kishte deklaruar në letrën e dorëheqjes se merrte përgjegjësi të plotë për publikimin e videos, e cila u transmetua në gusht 2024 në një kanal izraelit të lajmeve.

Pamjet tregonin rezervistë të bazës ushtarake Sde Teiman, në jug të Izraelit, duke e marrë në pyetje një të ndaluar palestinez, të cilit më pas i bllokojnë pamjen me mburoja, ndërsa ai supozohet të jetë goditur dhe plagosur me një mjet të mprehtë në pjesën e pasme të trupit. I ndaluari më pas është trajtuar për lëndime të rënda.

Pas publikimit të videos, pesë rezervistë u akuzuan për keqtrajtim dhe shkaktim dëmtimesh serioze trupore, megjithëse ata i mohuan akuzat. Katër prej tyre dolën para mediave me maska të zeza, bashkë me avokatët e tyre, të cilët e quajtën procesin “të paragjykuar dhe të trilluar plotësisht”.

Të hënën u bë e ditur se i arrestuari palestinez ishte liruar dhe dërguar në Gaza në tetor, si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve mes Izraelit dhe Hamasit.

Ndërkohë, një hetim penal u hap lidhur me rrjedhjen e videos, dhe Tomer-Yerushalmi u pezullua përkohësisht nga detyra. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi më pas se ajo “nuk do të lejohej të kthehej në postin e saj”, gjë që çoi në dorëheqjen e saj përfundimtare.

Në letrën e dorëheqjes, ajo shkroi:

“Kam miratuar publikimin e materialit për media në një përpjekje për të kundërshtuar propagandën e rreme kundër autoriteteve ligjzbatuese të ushtrisë. Është detyra jonë të hetojmë sa herë që ka dyshim të arsyeshëm për dhunë ndaj një të ndaluari.”

Pas dorëheqjes, ministri Katz e akuzoi atë për “shpifje ndaj trupave të IDF-së”, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti incidentin “sulmin më të rëndë ndaj imazhit publik të shtetit të Izraelit që nga themelimi i tij”.

Të dielën, situata mori kthesë dramatike: Tomer-Yerushalmi u raportua e zhdukur dhe policia zhvilloi kërkime në një plazh në veri të Tel Avivit. Pas disa orësh, ajo u gjet e gjallë dhe me shëndet të mirë në Herzliya, por menjëherë pas gjetjes u vendos nën arrest.

Më vonë policia arrestoi edhe ish-prokurorin ushtarak, kolonelin Matan Solomosh, nën dyshimin për “zbulim informacioni dhe vepra të tjera të rënda penale”.

Incidenti në Sde Teiman ka përçarë thellë opinionin publik në Izrael.

E djathta politike e konsideron publikimin e videos si një akt tradhtie dhe shpifje ndaj ushtrisë.

E majta, përkundrazi, e sheh veprimin e Tomer-Yerushalmit si një akt përgjegjësie dhe si dëshmi konkrete të keqtrajtimit të të ndaluarve palestinezë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.

Një raport i Komisionit Hetimor të OKB-së në tetor 2024 pretendonte se mijëra të ndaluar nga Gaza, përfshirë fëmijë, ishin “nënshtruar keqtrajtimeve të përhapura dhe sistematike, dhunës fizike e psikologjike, si dhe dhunës seksuale e gjinore, që përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Qeveria izraelite e mohoi akuzën, duke thënë se është “plotësisht e angazhuar ndaj standardeve ndërkombëtare ligjore” dhe se ka zhvilluar hetimet e nevojshme për çdo ankesë të paraqitur./BBC

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika