ShBA-ja e pezullon furnizimin e Izraelit me bomba, shkaku i Rafahut

Më shumë se 1 milion civilë janë strehuar në Rafah, pasi kanë ikur nga pjesë të tjera të Gazës në luftën që Izraeli po e zhvillon kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian

Ndërtesat e kthyera në rrënoja dhe rrënoja nga sulmet ajrore izraelite shihen në Gaza më 23 tetor 2023. Mohammed Zaanoun/Imazhe nga Lindja e Mesme/AFP/Getty Images

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e pezulluan furnizimin e Izraelit me bomba javën e kaluar, për shkak të shqetësimeve se Izraeli kishte vendosur ta pushtonte qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah, tha një zyrtar i lartë amerikan të martën vonë.

Dërgesa e pezulluar përmbante bomba prej 900 dhe 225 kilogramësh, sipas zyrtarit, i cili foli në kushte anonime. Shqetësimi i SHBA-së ishin këto bomba të mëdha dhe se si Izraeli do t’i përdorte ato në vendbanime me popullsi të dendur.

Izraeli nuk i ka “adresuar plotësisht” shqetësimet e SHBA-së për nevojat humanitare të civilëve në Gazë, sipas zyrtarit amerikan.

Më shumë se 1 milion civilë janë strehuar në Rafah, pasi kanë ikur nga pjesë të tjera të Gazës në luftën që Izraeli po e zhvillon kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, raporton Ap-news.

ShBA-ja i ka dhënë Izraelit ndihmë jashtëzakonisht të madhe ushtarake historikisht. Kjo ndihmë është rritur dukshëm pas sulmit që Hamasi e kreu në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer rreth 250 të tjerë.

Pezullimi i furnizimit me bomba është treguesi më i madh deri tani i rritjes së mospajtimeve mes Qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, e cila i ka bërë thirrje Izraelit të bëjë shumë më shumë për t’i mbrojtur jetët e civilëve të pafajshëm në Gazë.

Të martën, trupat izraelite e morën nën kontroll pikëkalimin kufitar kryesor në Rafah.

SHBA-ja e përshkroi këtë si një operacion të kufizuar që nuk ishte pushtim i plotë i Rafahut nga Izraeli, pasi Bideni vazhdimisht i ka bërë thirrje Netanyahut të mos e bëjë një gjë të tillë.

Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej së Izraeli e nisi luftën në enklavën palestineze tetorin e kaluar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika