ShBA-ja mohon se Huthët sulmuan një luftanije të saj

Rebelët jemenas të Huthit njoftuan se sulmuan bazën mobile të Marinës amerikane, USS Lewis B. Puller, më 29 janar në Gjirin e Adenit, pretendim ky i hedhur poshtë nga një zyrtar amerikan i mbrojtjes

Dy luftanije amerikane duke lundruar në Detin e Kuq. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Rebelët jemenas të Huthit thanë se kanë sulmuar një bazë mobile të Marinës amerikane më 29 janar, pa dhënë asnjë dëshmi. Megjithatë, ky pretendim i Huthëve është hedhur poshtë menjëherë nga një zyrtar amerikan i mbrojtjes.

Huthët pretenduan se kanë sulmuar USS Lewis B. Puller, që shërben si një bazë lundruese për ushtrinë amerikane. Kjo luftanije më herët ishte stacionuar në Detin Arabik, si pjesë e përpjekjeve amerikane për të frenuar sulmet e Huthëve ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit.

Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha përmes një deklarate se rebelët gjuajtën raketa drejt anijes Puller në Gjirin e Adenit. Megjithatë, ai nuk ofroi dëshmi për të mbështetur këtë pretendim.

Sulmet e Huthëve do të vazhdojnë “derisa të ndalet agresioni dhe të hiqet rrethimi ndaj popullit të Palestinës në Rripin e Gazës”, tha Saree përmes deklaratës.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes, që foli në kushte anonimiteti lidhur me çështjet e inteligjencës, tha se nuk ka pasur raportim për ndonjë sulm ndaj luftanijes Puller. Megjithatë, rebelët e Huthit më herët kishin gjuajtur raketa që nuk kishin arritur cakun e synuar dhe raketat kishin rënë në det apo tokë.

Luftanija Puller ka shërbyer si bazë mobile për pjesëtarët e Marinës së ShBA-së, që kryen operacionin e 11 janarit për konfiskimin e raketave balistike të prodhimit iranian dhe komponentëve të raketave, që besohej se ishin të destinuara për Jemen.

Dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane u zhdukën gjatë sulmit dhe ata besohet se kanë vdekur, shkruan REL.

Që nga nëntori, rebelët jemenas vazhdimisht kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq lidhur me ofensivën e Izraelit në Gazë kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Por, ata gjithnjë e më shumë po sulmojnë anije që nuk kanë lidhje të qarta me Izraelin, duke shkaktuar pengesa në rrugën kyçe për tregtinë globale midis Azisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika