Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar nisjen e fazës së dytë të planit të Presidentit Donald Trump për përfundimin e luftës në Gaza.
Lajmi u bë i ditur nga i dërguari amerikan, Steve Witkoff, i cili tha se kjo fazë përfshin krijimin e një qeverie teknokrate palestineze në Rripin e Gazës.
Sipas tij, faza e dytë parashikon gjithashtu rindërtimin e plotë të Gazës dhe çmilitarizimin e territorit, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze.
“Shtetet e Bashkuara presin që Hamasi t’i përmbushë plotësisht detyrimet e tij,” paralajmëroi Witkoff, duke theksuar se këto përfshijnë edhe kthimin e trupit të pengut të fundit izraelit të vrarë.
“Dështimi për ta bërë këtë do të sjellë pasoja serioze,” shtoi ai.
Në kuadër të fazës së parë, Hamasi dhe Izraeli ranë dakord për një armëpushim në tetor, shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish, një tërheqje të pjesshme izraelite dhe rritje të ndihmës humanitare.
Pas njoftimit të SHBA-së, ndërmjetësit rajonalë – Egjipti, Katari dhe Turqia – mirëpritën formimin e asaj që e quajtën “Komiteti Teknokrat Palestinez për Administrimin e Rripit të Gazës”, duke theksuar se ai do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit dhe përmirësimin e situatës humanitare.
Sipas tyre, organi prej 15 anëtarësh do të udhëhiqet nga Ali Shaath, ish-zëvendësministër i planifikimit në Autoritetin Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Administrata kalimtare do të funksionojë nën mbikëqyrjen e një “Bordi të Paqes”, i cili, sipas planit prej 20 pikash të shpallur nga Trump tre muaj më parë, do të drejtohet nga vetë presidenti amerikan. Njoftime të tjera lidhur me këtë bord priten në ditët në vijim, përfshirë edhe gjatë vizitës së Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme.
Ish-i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, i cili ka zhvilluar takime me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë, pritet të jetë përfaqësuesi i bordit në terren në Gaza.
Ndërkohë, Hamasi dhe aleati i tij, Xhihadi Islamik Palestinez, njoftuan në një deklaratë të përbashkët se kanë rënë dakord të mbështesin përpjekjet për formimin e qeverisë teknokrate, duke krijuar “ambientin e duhur” për fillimin e punës së saj.
Mbështetje ka shprehur edhe Autoriteti Palestinez, i dominuar nga Fatah, rivali politik i Hamasit. Zëvendëspresidenti Hussein al-Sheikh tha se udhëheqja e Trump ka “krijuar një mundësi të re për paqe, stabilitet dhe qeverisje të mirë”, duke u bërë thirrje të gjitha fraksioneve palestineze që ta mbështesin këtë fazë kalimtare.
Nga ana tjetër, zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se Benjamin Netanyahu ka zhvilluar një bisedë me prindërit e Ran Gvilit, pengut të fundit izraelit të vrarë që ndodhet ende në Gaza. Ai u ka siguruar se kthimi i trupit të tij mbetet prioritet absolut dhe se krijimi i administratës teknokrate nuk do të ndikojë në përpjekjet për ta sjellë atë për varrim në Izrael.
Ran Gvili, 24 vjeç, ishte një oficer policie dhe ishte mes 251 personave të rrëmbyer gjatë sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona.
Izraeli iu përgjigj sulmit me një ofensivë ushtarake në Gaza, gjatë së cilës janë vrarë më shumë se 71,430 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi./BBC