Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën për një periudhë të pacaktuar.
Ky vendim vjen si pasojë e shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë rritur tensionet dhe pasigurinë, duke vështirësuar bashkëpunimin produktiv në prioritetet e përbashkëta.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e tyre Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.
Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij kosovar. Shpresojmë të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme. Ne e dimë se ky është një qëllim i prioritizuar nga populli i Kosovës”, thuhet në njoftim.