Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Gerard McGurk, ka mirëpritur pajtueshmërinë për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjetet me disa masa shtesë.
Ai e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në adresimin e një çështjeje praktike që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, njofton Dukagjini.
“Mirëpresim marrëveshjen për zbatimin e ardhshëm të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet – një hap i rëndësishëm përpara në trajtimin e një çështjeje praktike që prek jetën e përditshme të njerëzve. Urime kryeministrit Albin Kurti, përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, për lidershipin dhe angazhimin e tyre”, ka shkruar ai.
Nga nesër, më 15 mars, pritet të nisë zbatimi i plotë i këtyre dy ligjeve, të cilat kryeministri Kurti i ka cilësuar të rëndësishme për sigurinë individuale dhe kombëtare, si dhe për një menaxhim më efikas të migrimit dhe të qarkullimit në trafik.