Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe fetare gjatë luftës së fundit në Kosovë

Gjatë luftës së viteve1998–1999 në Kosovë, trashëgimia kulturore dhe fetare shqiptare ishte cak i formacioneve të ndryshme ushtarake dhe policore serbe.

Ky shkatërrim përfshinte objekte fetare, shkolla, biblioteka dhe artefakte arkeologjike, duke pasur pasoja të rënda për kujtesën kolektive dhe trashëgiminë kulturore të vendit.

Sipas të dhënave të dokumentuara, gjatë kësaj periudhe u dëmtuan ose u shkatërruan mbi 200 xhami, shumë prej tyre me vlera të mëdha historike dhe arkitektonike, si dhe rreth 100 biblioteka publike, duke humbur mbi dy milionë ekzemplarë librash.

Ndërtesa të rëndësishme historike,përfshirë Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan plotësisht .

Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë përbën një krim kundër identitetit dhe historisë së një populli.

Autori i librit “Kultoricidi serb në Kosovë”, Gëzim Olluri, thekson se rrënimi i trashëgimisë kulturore, identitetit historik dhe sistemit arsimor shqiptar ka nisur shumë më herët, por kulmoi gjatë viteve të luftës.

“Në të ’90-at kryhen helmimet masive ndaj nxënësve shqiptarë nga shërbimet sekrete serbe. Vazhdon plani me përjashtimin e forcave mësimore, mbylljen e shkollave dhe bibliotekave, ndalimin e mësimit shqip, arrestimet e nxënësve dhe mësimdhënësve, si dhe gradualisht shkatërrohen librat dhe literatura shqipe”, thotë ai, duke shtuar se për këtë ekzistojnë fakte dhe materiale dokumentare që dëshmojnë se bëhej fjalë për një strategji të orkestruar nga shteti serb.

Historiani dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Durim Abdullahu, e konsideron shkatërrimin e trashëgimisë kulturore si pjesë të pandarë të asaj që nje pjesë e historianëve e quajnë “gjenocidi serb” në Kosovë.

 “Plaçkitja e fondeve muzeore arkeologjike dhe etnologjike, si dhe plaçkitja e fondeve arkivore; dëmtimi apo rrënimi i mbi 220 xhamive, disa prej të cilave qindra vjeçare; pastaj shkatërrimi i rreth 100 bibliotekave publike me mbi dy milionë ekzemplarë… nuk kanë qenë dëme anësore të luftimeve, por shkatërrime të qëllimshme”,thotë Abdullahu.

Sipas Ollurit, nga viti 1990 deri më 1999, vetëm në Bibliotekën Kombëtare janë larguar mbi 125 mijë libra, gazeta dhe materiale në gjuhën shqipe, një pjesë e të cilave janë zhdukur ose shkatërruar në fabrika letrash.

“Kemi rastin e Shkollës Fillore ‘Emin Duraku’ në Likoc, më e vjetra në Drenicë. Kjo shkollë ishte ndërtuar në vitin 1925 dhe i kishte mbijetuar katër luftërave, por u dogj në gushtin e 1998-ës nga forcat serbe. Po ashtu, janë shembur apo dëmtuar shkolla dhe biblioteka në gjithë Kosovën: Pejë, Podujevë, Prishtinë, Vushtrri, Skenderaj, Drenas, Therandë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë, Kastriot, Istog, Rahovec, Deçan e të tjera,” shpjegon ai.

Një aspekt i rëndësishëm i kësaj fushate shkatërruese ka qenë zhdukja e dokumentacionit dhe e trashëgimisë materiale që dëshmonte për praninë dhe zhvillimin kulturor të shqiptarëve në Kosovë.

Dëmet kanë përfshirë edhe plaçkitjen e rreth 3 mijë artefakteve nga Muzeu i Kosovës, që sipas Ollurit, janë vjedhur nga forcat serbe dhe ende mbahen në Serbi. Këto artefakte përfshijnë objekte të periudhës së Neolitit, Epokës së Bronzit, Hekurit, si dhe të kulturës materiale të Dardanisë.

Megjithatë, Abdullahu vlerëson përpjekjet e institucioneve të pasluftës për të ruajtur dhe restauruar trashëgiminë e dëmtuar, ndonëse sfidat kanë qenë të mëdha.

“Ministria e Kulturës me qendrat rajonale kanë realizuar qindra projekte konservuese dhe restauruese… janë parë rezultate të larta profesionale sa u takon kujdesit shtetëror për trashëgiminë kulturore. Veçanërisht në vitet e fundit, është bërë punë e madhe për restaurimin e xhamive që përbëjnë një kapitull më vete të kësaj trashëgimie të pasur”, nënvizon ai.

Vlerësohet se dokumentimi i këtyre veprave dhe restaurimi i tyre është një akt i domosdoshëm drejt drejtësisë historike dhe ruajtjes së identitetit kolektiv.

*Ky shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace -Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika