Analisti politik, Ardian Bytyqi, ka komentuar zhvillimet e mundshme politike pas përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se vendi mund të hyjë në një fazë të re dinamike.
Bytyqi, në “FIVE” në RTV Dukagjini, thotë se, sipas tij, për një periudhë të caktuar, detyrën e presidentit pritet ta ushtrojë kryekuvendarja, Albulena Haxhiu, ndërsa zhvillime të reja, sipas tij, priten pas vendimit të Gjykatës në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Bytyqi thotë se vendi do të shkojë në zgjedhje dhe se Partia Demokratike e Kosovës duhet që ish-presidentin Hashim Thaçi ta kandidojë për kryeministër, njofton RTV Dukagjini.
“Për një kohë do të jetë ushtruese e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, por të gjitha përllogaritjet politike po na dërgojnë tek një ‘treshe e famshme’, pasi që edhe PDK-ja po e pret edhe mesin e muajit maj, kur është edhe aktgjykimi i Gjykatës së Hagës për vendimin për lirimin e Thaçit. Në rast se do të kthehet ish-presidenti Thaçi në Kosovë, atëherë ‘lufta’ do të bëhej edhe më dinamike e më interesante. Ajo që mund të them sot është se PDK-ja do të duhej të dalë me emrin e Hashim Thaçit si kandidat për kryeministër – kjo kauzë e ka mbajtur edhe votuesit e PDK-së se ata një ditë do të ktheheshin në Kosovë dhe PDK-ja do të jetë ajo që ka qenë më herët”, u shpreh Bytyqi.