Shkupi po përballet me nivele alarmante të ndotjes së ajrit, kryesisht për shkak të zjarreve në deponitë Drislla dhe Vardarishtë.
Stacionet matëse tregojnë rritje të ndotjes me grimca PM10, ndërsa përpjekjet për shuarjen e flakëve me ujë nuk dhanë rezultat.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, bëri të ditur se tashmë po përdoret metoda e mbulimit të mbeturinave për shuarjen e zjarreve, ndërsa theksoi se ka indikacione se zjarri në Drislla është i qëllimshëm. Për shkak të gjendjes së krizës, kompetencat mbi menaxhimin e deponisë i ka marrë Shtabi Kryesor për kriza.
Angellov njoftoi se është propozuar ndalimi i lëvizjes në deponinë Vardarishtë, e cila do të shënohet dhe sigurohet për të parandaluar ndezje të tjera, qëllimshme apo të paqëllimshme. Ai kujtoi se tashmë tre persona janë arrestuar për djegien e paligjshme të mbeturinave, të cilët fitonin përmes riciklimit të metaleve.
Nga ana e tij, kryeministri Hristijan Mickoski tha se “metani ndizet edhe me një bisht cigareje”, duke shtuar se zgjidhja për Drisllën dhe Vardarishtën do të vijë përmes një partneriteti publiko-privat që do të shndërrojë deponitë në komplekse moderne për riciklim dhe prodhim të energjisë.
Ndërkohë, banorët e komunës së Aerodromit po protestojnë prej ditësh për djegien e deponisë ilegale pranë Vardarishtës. Iniciativa qytetare “Stop për Vardarishtën” paralajmëron për rrezikun serioz që paraqet ndotja ndaj shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit. Protestat do të vazhdojnë çdo ditë në orën 18:00 pranë parkut “Avionçe”.