Shoqata e Filozofëve të Kosovës (SHFK) ka reaguar ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës për ndryshimin e orarit mësimor në shkollat e kryeqytetit gjatë muajit të Ramazanit, vendim i marrë nga Drejtoria Komunale e Arsimit.
Në reagimin e saj, SHFK e cilëson këtë vendim si “sulm direkt ndaj rendit kushtetues të Kosovës” dhe ndaj një prej shtyllave themelore të shtetit liberal-demokratik, sekularizmit.
Sipas tyre, sekularizmi nënkupton ndarjen e qartë mes religjionit dhe shtetit në fushën e vendimmarrjes, ndërsa vendimi i DKA-së përbën pikërisht të kundërtën e këtij parimi.
“Shoqata e Filozofëve të Kosovës ka përcjellë gjatë gjithë ditës zhvillimet dhe diskutimet lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për ndryshimin e orarit mësimor në shkollat e Prishtinës, si rezultat i fillimit të muajit të ramazanit, me vendim të Drejtorisë Komunale të Arsimit.
Vendimi i tillë nga DKA është sulm direkt ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe sulm ndaj një prej shtyllave kryesore të shtetit liberal demokratik, sekularizmit, që supozon ndarjen e qartë mes religjionit dhe shtetit civil në fushën e vendimmarrjes.
Përtej këtij vendimi, edhe më skandaloze është injoranca e udheheqësit te DKA në moskuptimin e konceptit të sekularizmit, duke e reduktuar tërësinë konceptuale në frazën “laicitet si neutralitet dhe barazi për të gjithë”.
Laiciteti në vetvete nuk nënkupton hapësirën për ndërhyrje të religjionit – madje absolutisht e kundërta – ajo përbën ndarjen racionale, politike dhe filozofike të shtetit nga ndikimi i religjionit. Pikërisht, e kundërta e asaj që ka ndodhur sot.
Koncepti i shtetit sekular e nënkupton shtetin ku institucionet respektojnë të drejtën e njeriut për të besuar, por liria e plotë e besimit assesi nuk nënkupton as të drejtën më të vogël që në emër të laicitetit të ndërhyhet brenda rendit institucional arsimor, ku atakohet e drejta për të qenë ndryshe nga realiteti i imponuar i shumicës. Pra mundësia që në mesin e prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve të jenë edhe ata të religjioneve tjera, apo edhe ata që nuk janë religjiozë është tërësisht e injoruar nga injoranca e vendimit. Në pararele me vendimin e DKA, është legjitime që në raste të ngjashme të përfillen “praktikat shoqërore” ku do të ndryshohen oraret e mësimit edhe me kërkesë të përfaqësuesëve të religjioneve tjera, dhe si rrjedhojë shkollat do të humbin karakterin e tyre neutral, i cili është treguar më se i suksesshëm në të kaluarën.
Shteti për religjionin e ka krijuar infrastrukturën e nevojshme, ligjet e saj dhe parimet e funksionimit të brendshëm. Shteti nuk guxon t’i përshtatet rrezikimit të funksionimit të shtetit liberal duke marrë vendime mbi bazën e përcaktimeve religjioze.
Shoqata e Filozofëve të Kosovës kërkon nga Komuna e Prishtinës të tërhiqet nga ky vendim skandaloz dhe gjithashtu kërkon ndërhyrjen e autoriteteve për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit karshi një vendimi që krijon precedan të rrezikshëm”, thuhet në reagim.