Shovinizmi ndaj shqiptarëve bashkon skenën politike serbe: nga pushteti te protestuesit

Edhe pushteti, edhe protestuesit me qëndrime shoviniste kundër shqiptarëve – REL: Fyerjet ndaj një populli të tërë po normalizohen në Serb

Nga akuzat për korrupsion e deri te kërkesat për zgjedhje të reja, protestat që prej një viti zhvillohen në rrugët e Serbisë po shoqërohen gjithnjë e më shpesh me gjuhë fyese dhe parulla shoviniste ndaj shqiptarëve.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë (REL), termat poshtërues dhe brohoritjet diskriminuese dëgjohen si nga protestuesit, ashtu edhe nga vetë pushteti dhe mediat e tij, duke krijuar një atmosferë të normalizuar të urrejtjes etnike.

Sipas REL-it, parullat që përbëjnë boshtin kryesor të protestave – të nisura pas shembjes së çatisë në Novi Sad – shpesh shndërrohen në thirrje kundër shqiptarëve, duke përdorur termin përçmues “Shiptar”, i cilësuar zyrtarisht në Serbi si gjuhë urrejtjeje.

Për protestuesit, këto brohoritje synojnë presidentin Aleksandar Vuçiq, por në fakt godasin një popull të tërë.

Sociologu nga Presheva, Altin Boriqi, tha për REL-in se është “zhgënjyes” fakti që nga të dyja anët mungon distancimi nga një retorikë e tillë. Ai thekson se shqiptarët, si pakica e katërt në Serbi, përmenden publikisht vetëm në kontekste fyese, ndërsa shkrimtari serb Dejan Atanackoviq vëren se shqiptarët mungojnë në programet zyrtare, në fjalimet publike dhe në iniciativat e pajtimit – por shfaqen vetëm në parulla që poshtërojnë.

Protestë në mbështetje të serbëve në Kosovë, e mbajtur në Beograd më 11 tetor 2025.

Parulla fyese nga të gjitha anët

REL sjell edhe reagimet e vetë studentëve protestues. Disa prej tyre pranojnë se parullat si “Aco, Shiptar” janë fyese dhe nxisin urrejtje, ndërsa të tjerë i arsyetojnë si “metafora” ndaj politikës së Vuçiqit për Kosovën. Në disa protesta janë dëgjuar thirrje si “Shkoni në Kosovë” apo “E keni tradhtuar Kosovën”, të cilat sociologët i konsiderojnë reminishenca të propagandës së viteve të ’90-ta.

Nga ana tjetër, pushteti serb nuk ka një qëndrim më të moderuar. Përkundrazi, figura të larta politike si ish-ministri Aleksandar Vulin kanë përdorur shpesh publikisht terme të tilla fyese ndaj shqiptarëve, ndërsa tabloidet proqeveritare e përfshijnë rregullisht në titujt kryesorë, pavarësisht vendimeve gjyqësore që e cilësojnë atë si gjuhë urrejtjeje.

Kosova – temë e instrumentalizuar nga të dy palët

REL vë në dukje se narrativa nacionaliste është e pranishme në të gjitha tubimet publike, qoftë të opozitës apo të pushtetit. Mesazhet për Kosovën, këngët nacionaliste dhe thirrjet për “mosdorëzim” dëgjohen njësoj në protestat para Parlamentit dhe në manifestimet e organizuara nga partia në pushtet.

Në një rast simbolik të përshkruar nga Atanackoviq, flamuri i të ashtuquajturve “mosdorëzues të Kosovës” është parë në të dyja anët e kordonit policor, duke treguar – sipas tij – se edhe pushteti edhe protestuesit bashkëndajnë të njëjtën narrativë të rreme për statusin e Kosovës.

Pasojat për shqiptarët në Serbi

Sociologu Boriqi thekson se retorika shoviniste reflektohet drejtpërdrejt në jetën e shqiptarëve në jug të Serbisë përkatësisht në Luginë të Preshevës, ku diskriminimi, mosnjohja e diplomave të Kosovës dhe mungesa e përfaqësimit në institucione vazhdojnë të jenë pengesa të mëdha.

Ai përmend edhe “pasivizimin e adresave”, praktikë e dokumentuar nga Komisioni Evropian, që çon në fshirjen e shqiptarëve nga regjistrat civilë dhe u mohon të drejtat bazike.

Në këtë klimë të tensionuar, të rinjtë shqiptarë mbeten “vëzhgues, jo pjesëmarrës” të zhvillimeve politike, për shkak të mungesës së integrimit dhe pengesave strukturore në arsim e punësim.

REL konstaton se shovinizmi dhe fyerjet etnike janë kthyer në pjesë të diskursit të përditshëm në Serbi – nga protestat e opozitës deri te retorika e pushtetit – duke dëmtuar perspektivën e pajtimit dhe bashkëjetesës në një shoqëri të fragmentuar etnikisht.

Në qendër të gjithë këtij debati, mbetet e njëjta pikënisje: edhe pushteti, edhe protestuesit po riprodhojnë të njëjtat qëndrime shoviniste kundër shqiptarëve, duke treguar se urrejtja etnike në Serbi mbetet e thellë dhe e instrumentalizuar në të dyja anët e skenës politike.

Të fundit nga rubrika