Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, janë detyruar disa komuna të ndërmarrin masa emergjente.
Komuna e Junikut dhe ajo e Malishevës kanë shpallur gjendje emergjente, për shkak të rrezikut të shtuar për qytetarët dhe dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë.
Komuna e Junikut ka njoftuar se ka aktivizuar shtabin emergjent për menaxhimin e situatës.
“Në këtë kuadër, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më 12.01.2026. I lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare. Ditët e humbura të mësimit do të kompensohen” thuhet në njoftim.
Edhe Komuna e Malishevës ka shpallur gjendje emergjente pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive që kanë nisur që nga orët e mesnatës.
Kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, ka deklaruar se situata është e rënduar dhe se disa zona të territorit komunal kanë pësuar dëme të konsiderueshme.
“Që nga orët e mesnatës, Komuna jonë po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit tonë. Si Kryetar i komunës, që nga momentet e para jam në terren bashkë me ekipet emergjente të shpëtimit, strukturat komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, ka deklaruar Kastrati.