Pas takimit virtual të thirrur këtë të enjte, më 2 prill, nga Mbretëria e Bashkuar për të adresuar krizën në Ngushticën e Hormuzit, ka reaguar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Ferit Hoxha.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha tha se diskutimet u përqendruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare.
“Sot mora pjesë në takimin virtual të thirrur nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, që bëri bashkë homologë nga mbi 40 vende për të adresuar nevojën urgjente për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pas mbylljes së saj nga Irani në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm. Diskutimet u përqëndruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike dhe politike, por jo vetëm, për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare kritike, e cila është jetike për sigurinë globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik. Uniteti, koordinimi dhe një qasje ndërkombëtare e bazuar në rregulla janë thelbësore. Liria e lundrimit është një parim themelor që duhet të respektohet.”, shkruan Hoxha në X.
Mes të tjerash ai thekson se Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me partnerët dhe aleatët “për të mbështetur përpjekjet e deeskalimit dhe për të kontribuar në iniciativa dhe zgjidhje kolektive”.
Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, zhvilloi sot një takim virtual me përfaqësues të mbi 40 shteteve, përfshirë vende europiane dhe partnere ndërkombëtare, me qëllim koordinimin e përpjekjeve për rihapjen e kësaj rruge detare jetike./tvklan