Shtetet arabe kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në përgjigje të sulmeve të Iranit, pas një takimi të ministrave të punëve të jashtme në Riad të mërkurën.
Në deklaratë morën pjesë përfaqësues nga Bahrejni, Kuvajti, Libani, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera të rajonit, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Në deklaratën e tyre, ata dënojnë sulmet e qëllimshme të Iranit, të cilat sipas tyre kanë shënjestruar zona banimi, infrastrukturë civile dhe objekte diplomatike.
Këto sulme siç thonë ata në deklaratën e përbashkët nuk mund të justifikohen “nën asnjë pretekst”.
Ata gjithashtu theksojnë të drejtën e tyre për vetëmbrojtje në përputhje me Nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Deklarata i bën thirrje Iranit që të ndalojë menjëherë sulmet dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe të përmbahet nga masa apo kërcënime që synojnë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Ata gjithashtu dënojnë agresionin e Izraelit ndaj Libanit dhe atë që e quajnë politikë ekspansioniste në rajon.