Shumë të rëndësishme e pak interesim për t’u studiuar, Letërsia Shqipe e Filozofia rrezikojnë shuarjen

Drejtimet e Letërsisë Shqipe, Gjuhës Shqipe, dhe Filozofisë në Universitetin e Prishtinës konsiderohen fusha të rëndësishme për identitetin kombëtar dhe mendimin kritik. Interesimi për këto drejtime po zbehet dhe kërcënohet me shuarje në të ardhmen

Drejtimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) si Letërsi Shqipe, Gjuhë Shqipe dhe ai i Filozofisë, konsiderohen fusha tejet të rëndësishme për identitetin kombëtar e për mendimin kritik, megjithatë interesimi për to nga viti në vit po zbehet, duke rrezikuar edhe shuarjen në të ardhmen, në rast se vazhdon trendi i njëjtë.

Dega më e rrezikuar është ajo e Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në këtë drejtim kanë aplikuar vetëm gjashtë nxënës, numër ky tejet i vogël e po ashtu shqetësues.

Kurse në drejtimin Gjuhë Shqipe kanë aplikuar 20 nxënës, pra pak më shumë sesa në Letërsi Shqipe, por i ulët në krahasim me vitet e kaluara,

Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, ka thënë për Portalin Dukagjini se ky numër mund të rritet në afatin e shtatorit “me përjashtim të Gjuhës angleze, gjermane dhe gazetarisë”.

Rënia e interesimit të nxënësve për këto drejtime, sipas saj, nuk ka të bëjë aq shumë me programin por me zhvillimet e gjithëmbarshme në vend e në botë. Sipas saj, edhe në vende të huaja ekziston një trend i rënies së interesimit për të studiuar gjuhët nacionale.

lindita rugova – Ekonomia Online
Lindita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik

“Pra, unë e shoh si dukuri globale mosinteresimin për dijet humanistike në përgjithësi, sepse është koha e inteligjencës artificiale, kohë e shkencave aplikative mjekësore dhe e pagesave më të mira në tregun e punës. Ka rënie të dukshme edhe në disa fakultete tjera të UP-së, por një gjë e tillë është pritshme me këto zhvillime”, ka thënë ajo.

Sipas saj, “drejtimi ose programi i Letërsisë nuk duhet dhe nuk bën të shuhet assesi edhe nëse nuk e kemi asnjë student, sepse është departamenti që bashkë me gjuhën shqipe, në vitin 1960 i kanë vënë themelet e UP-së së sotme, është pjesë e identitetit të shqiptarëve të Kosovës, është vetë Kosova”.,

Një nga arsyet që sipas dekanes Rugova që ka bërë që albanologjia të dobësohet është një vendim i Ministrisë së Arsimit në vitin 2012/2013, për heqjen e masterit të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe letërsisë shqipe nga Fakulteti i Filologjisë.

“Ministria e Arsimit ne vitin 2012/2013 e ka aprovuar një vendim, me të cilin e ka hequr masterin e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe masterin e letërsisë shqipe nga Filologjiku, i ka bartur (pa vullnetin tonë dhe pas shumë debateve që kemi bërë në Senat dhe ne MASHT) në Fakultet të Edukimit, gjate kohës së menaxhmenteve të kaluara. Kjo ka ndikuar indirekt ne dobësimin e albanologjisë ne Filologjik, ani pse është fjala për studimet master sepse shumica e kandidatëve që regjistrohen në një program studimi BA, logjikisht duan ta vazhdojnë masterin e mësimdhënies aty ku janë, pa ndryshuar fakultet”, ka thënë ajo.

Fakulteti Filologjik – UP

“Në rrethanat e reja të krijuara, do të duhej ta zhvillonim një program masteri të përbashkët me Fakultetin e Edukimit, master të mësimdhënies së gjuhës dhe të letërsisë shqipe, me një diplomë të përbashkët të një programi të punuar me shumë kujdes nga të dyja palët. Kjo e kthen interesimin në të dyja fakultetet për këtë fushe, sepse nuk krijon shkëputje nga BA në MA nga një fakultet në tjetrin, por njëkohësisht ndikon në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në përgjithësi në këtë fushë studimi. Do të ishte program aset për të dyja fakultetet sepse në fund të fundit jemi një universitet, një shtëpi. Tirana ndryshe nga ne e ka ruajtur masterin profesional të mësimdhënies së shqipes në Filologjik”, ka vijuar ajo.

Arsye tjetër e rënies së numrit të aplikuesve në degët e Filologjisë, sipas Rugovës, është edhe rënia e natalitetit dhe zhveshja demografike. Ajo bëri në vitin 2013 në drejtimet Anglisht dhe Gjermanisht rreth shtatë apo tetë kandidatë luftonin për një vend, kurse tash konkurrenca është dy për një vend.

Ajo theksoi se akreditimi i shumë programeve të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë Shqipe, edhe në komunat e tjera, ka ndikuar në rënie të interesimit në Fakultetin Filologjisë në Prishtinë.

“Natyrisht, programet BA janë programe nacionale dhe nuk do të duhej të cenohej asnjëherë ekzistenca e tyre, sepse gjuhët tjera mund të studiohen kudo, por shqipja kërkon habitat vendor”, u shpreh ajo.

Vetëm 18 aplikues në Filozofi

Në departamentin e Filozofisë, po ashtu, ka pasur numër të vogël të të interesuarve. Në këtë drejtim kanë aplikuar vetëm 18 nxënës, që sipas shefit të katedrës, njëkohësisht profesorit të Filozofisë, Valon Leci, është shqetësuese.

Leci për Portalin Dukagjini i përmendi disa arsye, të cilat, sipas tij, kanë bërë që numri i të interesuarve për studim të filozofisë të jetë i vogël. Rënia e natalitetit, emigrimi e diskrepanca në mes të arsimit dhe tregut të punës, sipas tij, janë arsye për rënie të interesimit për ta studiuar filozofinë.

“Konsideroj që ka disa arsye që janë shkak i këtij problemi, të tilla si rënia e natalitetit apo emigrimi në masë të madhe që kanë ndikuar në rënien e popullsisë, duke përfshirë rënien e numrit të nxënësve në nivelin parauniversitar, por edhe të studentëve. Një arsye tjetër i rënies së numrit të studentëve përgjithësisht, është edhe diskrepanca e thellë në mes të arsimit dhe tregut të punës, çka ka bërë që shumë të diplomuar të mos mund të hyjnë në tregun e punës në profesionet e tyre. Kjo natyrisht është edhe paaftësi e pushteteve ekzekutive në Kosovë për të krijuar politika përkatëse për arsim dhe punësim”, tha ai.

Valon Leci, shef i Degës së Filozofisë në UP

Ai i kritikoi qeveritë e kaluara dhe aktualen se po e shpërfillin rëndësinë e drejtimeve që sipas tij janë kruciale për shoqërinë e për shtetin.

“Për mua, është shqetësues fakti se si qeveritë, duke përfshirë edhe aktualen, e sidomos aktualen shkaku i referencave publike që bëjnë, shpërfillin rëndësinë e disa drejtimeve që janë kruciale për shoqërinë dhe shtetin, në kuptim të funksionimit normal të tyre. P.sh. në programet e shkollave në nivelin parauniversitar kanë reduktuar në maksimum orët e filozofisë, dhe i kanë bashkuar me logjikën”.

“Për më keq, kanë krijuar norma të tilla që studiuesit e filozofisë dhe etikës të mos mund japin as Edukatën Qytetare. Pra, dëmtojnë fushën, e cila, ndoshta nuk u jep profesion teknik, por i bën njerëzit të mendojnë me kokën e tyre në mënyrë kritike dhe jo dogmatike. Dhe përsëri nuk eliminohen këto gabime!”, ka thënë ai.

Fakulteti Filozofik – Universiteti i Prishtinës

Leci e konsideron shqetësues edhe numrin e vogël të të interesuar për degën e Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik, duke thënë se ajo fushë mundëson studimin e identitetit të shoqërisë sonë.

“Kam parë në media se si në letërsi këtë afat kanë aplikuar vetëm 6 kandidatë. Pra, në fushën që mundëson studimin e një prej elementeve identitare të kësaj shoqërie, kemi kaq pak student potencial dhe potencialisht në rënie e sipër, deri në mbyllje”, tha ai.

Profesori i Filozofisë u shpreh se në Kosovë ekziston një tendencë që të studiohen drejtimet që i absorbon tregu i Evropës, e që sipas tij do të jetë problem i madh për Kosovën.

“Pra, vërehet një tendencë për të studiuar në drejtimet komerciale, dhe sidomos në të tilla drejtime që i absorbon tregu evropian. Rrjedhimisht, tentativisht të bëhen studime për të gjet punë jashtë Kosovës. Ky do të jetë një problem shtesë dhe i madh për Kosovën në të ardhmen e afërt”, tha ai.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, duhet të ofrojë më shumë bursa studimi për fushat e rrezikuara nga mungesa e të interesuarve, përndryshe, sipas tij, drejtimet që nuk janë të lidhur ngushtë me tregun e punës rrezikojnë mbylljen.

“E shoh shumë me rëndësi që Qeveria e Kosovës të krijojë politika arsimore të veçanta për fushat dhe programet me rëndësi kruciale për individin, shoqërinë dhe shtetin, por që si të tilla nuk janë komerciale. Qeveria duhet të ofrojë bursa studimi më shumë për këto fusha, të promovojë vlerën e studimit dhe rëndësinë e të këtyre fushave, të mundësojë shkëmbim eksperiencash në universitete kredibile etj.

“Përndryshe, departamentet dhe programet që nuk janë me profit direkt dhe të lidhur ngushtë me tregun e punës, do të jenë në rrezik për mbyllje. Dhe, mbyllja e këtyre programeve, në një mënyrë apo në një tjetër, do të na dëmtonte rëndë secilin nga ne dhe të gjithë ne!”, tha ai.

Edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, mendon që këto drejtime si Letërsia Shqipe, Gjuha Shqipe e Filozofia rrezikojnë të mbyllen nëse vazhdohet me këtë trend të mosinteresimit.

Sipas tij, drejtimet në fjalë ofrojnë mundësi të kufizuara në tregun e punës, prandaj edhe interesimi është i vogël.

“Arsyet mendojë se janë të shumta, por para së gjithash ndërlidhen me kërkesat e tregut të punës. Këto drejtime ofrojnë mundësi shumë të kufizuara të avancimit në karrierë dhe po konsiderohen nga të rinjtë si demode. Padyshim që edhe trendi global e ka bërë të vetën, të rinjtë po orientohen në drejtime të TIK-ut, mjekësisë, gjuhëve të huaja dhe drejtimeve të tjera që po ofrojnë mundësi më të mira punësimi”, tha ai.

Argjend Osmani – njohës i arsimit

Sipas tij, “studimi, njohja e gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare është shumë e rëndësishme. Pak a shumë e njëjta mund të thuhet edhe për drejtimin e filozofisë. Fatkeqësisht të rinjtë nuk shfaqin interesim të mjaftueshëm për këto drejtime”.

Ministria e Arsimit, sipas Osmanit, duhet të ofrojë bursa për studentët e këtyre drejtimeve dhe po ashtu të krijojë më shumë meritokraci në promovimin e stafit akademik.

“Ministria e Arsimit mund të ofrojë bursa për studentët e këtyre drejtimeve dhe të sigurojë mundësi të barabarta promovimi e meritokraci për të gjithë. Nuk duhet harruar se ky demotivim i rinisë ka ardhur edhe si pasojë e klientalizmit e nepotizmit nëpër universitetet publike, posaçërisht me rastin e promovimit të stafit akademik. Andaj, edhe ata pak të interesuar hjekun dorë nga këto drejtime, kur shohin se kanë shumë pak gjasa të kenë karrierë akademike”, tha ai.

Në lidhje me rrezikun e shuarjes së degës së Letërsisë Shqipe, ku aplikuan vetëm 6 nxënës, profesori Ag Apolloni, ka kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të reagojë dhe t’i kthehen këtij deparatamenti, siç ka thënë ai, kompetencat që ia kanë marrë fakultetet e tjera.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika