Shumica e grave në Maqedoninë e Veriut heqin dorë nga trashëgimia e pronës

FOTO:REUTERS

Statistikat në Maqedoninë e Veriut tregojnë se gratë në shumicën e rasteve heqin dorë nga trashëgimia e pronave familjare, vetëm për të mos prishur raportet me vëllezërit e tyre.

Të dhënat e regjistrit të Kadastrës tregojnë se as çereku i pronave të paluajtshme nuk janë në emër të grave.

Njëra nga gratë që ka hequr dorë nga prona e prindërve është edhe Emine B, për shkak të, siç thotë ajo “të mos më mbyllet dera e shtëpisë së babait” në të cilën tani jeton i vëllai.

“Sapo kam hapur bisedën e trashëgimisë u ndie një frymë e ftohtë, një situatë e tensionuar. E dini i është te familjet shqiptare dhe pas kësaj, nga frika se më mbyllet dera e shtëpisë së babait, tani e vëllait, nuk e kam hapur kurrë bisedën e trashëgimisë”, thotë ajo.

Edhe Lidija Andovska nga Shkupi nuk ka arritur të trashëgojë një pjesë të konsiderueshme të pronës familjare, pasi kështu kishin vendosur prindërit e saj.

“Djali konsiderohej si shtyllë e familjes dhe ai duhej të trashëgonte pronën për të prezantuar forcën, por edhe besueshmërinë e familjes. Personalisht kjo më ka kushtuar shumë, pasi në mungesë të kapitalit fillestar, për dallim nga vëllai im, unë e kam pasur shumë më të vështirë që të ndërtoj biznesin tim si floktare”, thotë ajo.

Për dallim nga dy rastet e para, Arta Mero nga Tetova, ka trashëguar në mënyrë të barabartë me të vëllain, pronën e prindërve.

Mero, e cila ligjëron lëndën e të drejtës trashëgimore, thotë se është përballuar me paragjykime nga rrethi që e ka konsideruar si “motër të keqe që merr hisen e të vëllait”.

“Për më tepër, më ka habitur fakti se kritikat më të mëdha i kam marrë nga nënat dhe vajzat që nuk e arsyetonin verimin tim që në formë të barabartë të ndaj trashëgimin nga babai me vëllain edhe pse vëllai im ka insistuar që unë të marr edhe më shumë pjesë”, thotë Mero.

Ajo thekson se ndarjen e pronës në formë të barabartë e ka mundësuar edukata familjare që gjithçka të ndahet në formë të barabartë që nga fëmijëria, si obligime ashtu edhe të mirat materiale.

Sipas statistikave nga Kadastra, vetëm në qytetin e Shkupit, 36 për qind e pronarëve të pronës së paluajtshme janë gratë. Ndërkaq, në qytete të tjera, sikurse Tetova, Gostivari e Dibra – ku shumica e popullsisë është shqiptare – kjo përqindje është nën 20, sipas të dhënave që i përkasin vitit 2023.

Në Ligjin për trashëgiminë, gratë dhe burrat trajtohen në mënyrë të barabartë. Sipas ligjit, personat që mund të paraqiten si trashëgues janë: të gjithë pasardhësit e personit të ndjerë që ka lënë prona pas vete, i adoptuari dhe pasardhësit e tij, bashkëshorti ose bashkëshortja, prindërit ë tij, vëllezërit dhe motra dhe pasardhësit e tyre, si dhe gjyshi dhe gjyshja dhe pasardhësit e tyre.

Ndërkaq, organizatat që merren me të drejtat e grave thonë se ende ka shumë punë për t’u bërë që të ngrihet vetëdija e qytetarëve që prona të trajtohet si e drejtë për të dy gjinitë.

“Marrë parasysh faktin që shoqëria shqiptare gjithmonë ka qenë më patriarkale, burrat kanë pozicion dominues në strukturat familjare dhe kjo gjithsesi nuk ka se si të mos ndikojë edhe në praktikat e trashëgimisë”, thotë Rabie Murati, ligjëruese në Universitetin e Tetovës, njëherësh aktiviste për të drejtat e grave.

“Njëherësh, kur bëhet fjalë se pse gratë heqin dorë nga trashëgimia, mund të them se është ai presioni shoqëror që u bëhet grave, përkatësisht atyre që marrin trashëgiminë e të cilat mund të mos pranohen nga rrethi, e të përballen me gjykime dhe njëherësh krijohet edhe një tensionim në raportet familjare”, shton ajo.

Nga aktivistet për të drejtat e grave mosposedimi i pronës nga gratë shihet si problematike, pasi gratë më pas kanë më shumë vështirësi që të krijojë biznese të tyre në mënyrë të pavarur. Organizatat joqeveritare theksojnë se gratë do të fuqizohen në momentin që të jenë të pavarur në aspektin ekonomik./REL

Shija e redaktorit

Përparësitë e Kosovës si shtet i asocuar në Asamblenë Parlamentare...

Një hap afër anëtarësimit në NATO, kështu së paku po konsiderohet nga politikanët të jetë afruar Kosova, tash që e morri statusin si vend...

Osmani në takim me kryesuesit e KGJK-së dhe KPK-së: Urgjent...

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ajo ka pritur në takime...

Dita e Presidentit, Osmani me familjen e saj e shënon...

24 maji është Dita e Presidentit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo ditë është vendosur nga presidenti historik, Ibrahim Rugova. Osmani ka thënë...

Të fundit nga rubrika