Gazetari dhe kryeredaktori i së përjavshmes serbe Vreme, Filip Shvarm, deklaroi se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq po rikthehet te retorika dhe metodat politike të viteve ’90, të lidhura me liderin radikal Vojislav Sheshel.
Ai komentoi lajmin se Qeveria e Serbisë po financon me para të buxhetit veteranët e njësisë famëkeqe “Beretat e Kuqe”.
Sipas tij, Vuçiq nuk ka më mundësi të zgjerojë bazën e votuesve dhe tashmë po përpiqet të forcojë elektoratin e tij të ashpër përmes frikës dhe simbolikës së luftërave të viteve ’90.
“Vuçiq po sillet si nxënës i Sheshelit”, tha ai
Shvarm tha se fushata politike e Vuçiqit “duket sikur po drejtohet nga Shesheli”, duke përmendur gjuhën e urrejtjes, fyerjet dhe kërcënimet, propagandën agresive dhe krijimin e ndjenjës së frikës dhe pasigurisë.
Ai shtoi se presidenti serb po paraqitet si “viktimë”, duke pretenduar se policia, drejtësia dhe kundërshtarët politikë “po i punojnë kundër”.
“Përdorimi publik i veteranëve të “Beretave të Kuqe” ka për qëllim të frikësojë qytetarët, të mobilizojë mbështetësit nacionalistë, të forcojë bërthamën radikale të Partisë Progresive Serbe”.
Ai theksoi se veteranët e kësaj njësie janë shfaqur në tubime të partisë në pushtet dhe i quajti “zemra e errësirës së viteve ’90 dhe luftërave në ish-Jugosllavi”.
Sipas Shvarmit, ekziston një vazhdimësi politike mes regjimit të Slobodan Milosheviq, bashkëpunëtorëve të tij dhe politikës aktuale të Vuçiqit.
“Pushteti aktual po përpiqet të rehabilitojë narrativën e viteve ’90 për të ruajtur mbështetjen e elektoratit nacionalist në Serbi”.
Reagimi i tij vjen pasi REL publikoi një tekst ku raportohej se Qeveria e Serbisë financon me para nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe – një organizatë që mbledh ish-anëtarë të njësisë speciale të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Disa prej pjesëtarëve të kësaj njësie kanë marrë pjesë në krime lufte dhe janë dënuar për likuidimin e kundërshtarëve politikë.
Sipas një analize të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, vetëm përmes konkurseve të Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale të Serbisë, kësaj shoqate i janë ndarë 23.000 euro në dy vjetët e fundit.
Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe ka marrë fonde në të gjitha konkurset nga fusha e mbrojtjes së veteranëve, të realizuara nga Ministria e Punës që nga momenti kur në krye të saj është emëruar Millica Gjurgjeviq Stamenkovski.
Gjurgjeviq Stamenkovski është kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici” dhe është bërë pjesë e pushtetit në Serbi në vitin 2024, edhe pse partia e saj nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e asaj kohe.
Ministria e Punës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se për çfarë konkretisht janë shpenzuar mjetet e ndara dhe cili është interesi publik për financimin e projekteve të Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe me para të buxhetit.
Përgjigje nuk dha as Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe.
“Kur e merr një njësi të tillë dhe prej saj nxjerr heronj, ndërkohë që dihet ‘rruga e saj e luftës’, njeriu duhet ta pyesë veten se çfarë vlerash promovon ky pushtet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Filip Shvarm, kryeredaktor i së përjavshmes serbe “Vreme” dhe autor i një dokumentari për Njësinë për Operacione Speciale.
Kush ishin Beretat e Kuqe?
Njësia për Operacione Speciale, e njohur më mirë si Beretat e Kuqe, u themelua nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i drejtuar nga Jovica Stanishiq – një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.
Krahu i tij i djathtë ishte Franko Simatoviq.
Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan në Hagë në vitin 2023 me nga 15 vjet burg për mbështetje dhe ndihmë në krime lufte në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1992.
Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Në atë kohë, Simatoviq e emëroi Millorad Ulemekun, i njohur si Legija, komandant të saj.
Njësia u shpërbë në vitin 2003 gjatë operacionit policor “Sablja”.
Disa prej pjesëtarëve të saj janë dënuar për vrasje politike – përfshirë vrasjen e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003; vrasjen e ish-presidentit të Presidencës së Serbisë, Ivan Stambolliq, në gusht të vitit 2000; vrasjen e katër zyrtarëve të Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (SPO) në tetor 1999; si dhe tentim-vrasjen e liderit të SPO-së, Vuk Drashkoviq, në Budva në vitin 2000.