Të premten, në orën 11:00, në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – do të zhvillohet ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj, të gjithë pjesë e Listës Serbe.
Çfarë e bën këtë moment veçanërisht të rëndësishëm është fakti se simbolet e Republikës së Kosovës do të jenë të pranishme dhe të vendosura në sallat ku do të bëhet marrja e detyrës.
Ky proces shënon rikthimin e pushtetit lokal nga kryetarët shqiptarë të zgjedhur vitin e kaluar përsëri në duart e strukturës politike të mbështetur nga Beogradi.
Në Mitrovicën e Veriut, Erden Atiqi i Vetëvendosjes pritet t’ia dorëzojë detyrën Milan Radojeviqit. Në Zveçan, Ilir Peci nga PDK do të lëshojë vendin për Dragisha Miloviqin. Ndërkohë, në Leposaviq rikthehet Zoran Todiq, i cili do të zëvendësojë Lulzim Hetemin e Vetëvendosjes. E njëjta situatë do të ndodhë edhe në Zubin Potok, ku Izmir Zeqiri i PDK-së do t’ia transferojë detyrën Millosh Peroviqit.

