Situata në veri, Shtëpia e Bardhë u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet

Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur se zëvendëskëshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, kishte biseduar të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të premten me presidentin e Serbisë, Vuçiq. Ai ka rishprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën e krijuar në veri

Zëvendëskëshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë të premten.

Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur se Finer ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të enjten. Ndërkaq një ditë më vonë, ka biseduar po ashtu edhe me presidentin serb, Vuçiq.

Finer ka rishprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.

“Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga vendndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedën me kryeministrin e Kosovës.

Finer gjithashtu i bëri thirrje presidentit serb për marrjen e masave për qetësimin e gjendjes.

“Ai i kërkoi Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t’u bëjë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Protestat nisën më 26 maj, me mbledhjen e serbëve lokalë para objekteve të komunave, me qëllim pengimin e hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit në to.

Zgjedhjet, në të cilat u zgjodhën këta kryetarë, u bojkotuan nga shumica e qytetarëve serbë.

Njëherit, më 29 maj, trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan, me ç’rast rreth 30 ushtarë u lënduan.

SHBA-ja ka kërkuar nga Kurti që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët e komunave të punojnë nga ndërtesat komunale dhe largimin e forcave të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier, ka ritheksuar se, sipas tij, veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë krijuar situatat e fundit në veri.

Shija e redaktorit

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Përballja e madhe për Prishtinën: Rama, Çeku e Ismaili më...

Më 9 tetor, e enjte në Debat plus, do të zhvillohet një debat mes tre kandidatëve për kryetar të Prishtinës. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar sot...

Të fundit nga rubrika