Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorët privatë në Prishtinë po kërkojnë pagat e papaguara përmes protestës, duke ndërprerë qarkullimin e autobusëve në kryeqytet.
Ata kërkuan falje nga qytetarët, por theksuan se veprimet e tyre nuk kanë karakter politik.
Përfaqësuesi i “Trafikut Urban”, Elmi Gashi, bëri thirrje që Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Financave të gjejnë një zgjidhje, duke përmendur borxhin e madh të ndërmarrjes, 3.2 milionë euro, përfshirë borxhet për naftë, paga dhe sigurime shëndetësore.
Ai ka shtuar se ndonëse ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u zotua për alokimin e fondeve, vendimi i komunës për bartjen e të hyrave vetanake nuk ka ardhur ende.
Gashi shpjegoi gjithashtu se naftën për autobusët e kanë siguruar me të ardhura vetanake dhe se shpenzimet janë të mëdha, pasi 51 autobusë përdorin deri në 10 mijë litra naftë në ditë për qarkullimin normal.
Ai shtoi se mbështet kryetarin Përparim Rama, por theksoi se paratë duhet të alokohen që punëtorët të kthehen në punë.
Edhe përfaqësues të operatorëve privatë, si Gani Sinani dhe Avdyl Brajshori, nënvizuan se protesta është për pagat dhe nuk ka karakter politik, duke paralajmëruar se nuk do të ndërpritet derisa institucionet lokale dhe qendrore të gjejnë një zgjidhje.
