Partia Demokratike Evropiane ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Ministrit serb të Informacionit, Boris Bratina, i cili u shpreh se të rinjtë “nuk janë të vetëdijshëm se policia lokale ka të drejtë t’i rrahë dhe t’i vrasë”.
Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të forta dhe ka ngritur shqetësime serioze për klimën politike dhe respektimin e të drejtave themelore në Serbi.
Në një reagim zyrtar, Partia Demokratike Evropiane theksoi se një retorikë e tillë është e rrezikshme, sidomos në një moment kur studentët dhe të rinjtë po protestojnë në mënyrë paqësore. Sipas tyre, deklarata të tilla jo vetëm që nuk kontribuojnë në uljen e tensioneve, por përkundrazi rrezikojnë të legjitimojnë dhunën policore ndaj qytetarëve.
Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Sandro Gozi, i cilësoi fjalët e Bratinës si tronditëse dhe të papranueshme. Ai theksoi se asnjë qeveri që pretendon të jetë demokratike nuk mund të tolerojë apo sugjerojë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve të vet, veçanërisht ndaj të rinjve.
Gozi vuri theksin se përgjegjësia politike për këtë situatë bie mbi presidentin Aleksandar Vuçoq, duke e cilësuar këtë si një tjetër tregues të devijimit të rrezikshëm të regjimit aktual nga standardet demokratike. Ai paralajmëroi se nëse deklaratat nuk tërhiqen menjëherë, shkarkimi i Bratinës duhet të jetë i pashmangshëm.
Në deklaratën e saj, Partia Demokratike Evropiane nënvizoi se Serbia nuk mund të pretendojë se po ecën drejt integrimit evropian ndërkohë që toleron diskurs që normalizon shtypjen dhe frikësimin e qytetarëve. Sipas saj, raportet e fundit të organizatave ndërkombëtare që flasin për përdorim të tepruar force, presion ndaj mediave dhe kufizim të shoqërisë civile vetëm sa e thellojnë këtë shqetësim, raporton N1 përcjell Dukagjini.
Në përfundim, partia ritheksoi se respektimi i të drejtave themelore, liria e shprehjes dhe e drejta për protesta paqësore janë kushte të panegociueshme për çdo vend që synon një të ardhme evropiane, duke shprehur mbështetje të qartë për studentët, gazetarët dhe qytetarët serbë që po kërkojnë të drejtat e tyre në mënyrë paqësore.