Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Slagjan Trajkoviqit, i akuzuar për krime lufte, duke e dënuar atë me 10 vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall të premten, ku në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa masa e paraburgimit do t’i vazhdohet me aktvendim të veçantë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Trajkoviqi akuzohet se gjatë luftës në Kosovë ka kontribuar drejtpërdrejt në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, si dhe dëbim e deportim të mijëra civilëve shqiptarë.
Në aktakuzë përshkruhet se më 6 prill 1999, në mesditë, forcat ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Trajkoviqi, kanë marrë urdhër për të rrethuar fshatin Reznik të Vushtrrisë. Pas rrethimit, është ndërmarrë ofensivë e drejtpërdrejtë ndaj fshatit, ku janë sulmuar banorët civilë, janë djegur shtëpi dhe janë vrarë civilë shqiptarë.
Në këtë ditë, sipas aktakuzës, forcat serbe kanë vrarë nëntë anëtarë të familjes Ujkani, ndërsa pas vrasjes, trupat e tyre janë djegur së bashku me shtëpitë, duke synuar zhdukjen e provave dhe terrorizimin e popullsisë civile.
Po ashtu, më 22 maj 1999, pranë varrezave të qytetit të Vushtrrisë, forcat serbe kanë tubuar rreth 20 deri në 40 mijë civilë shqiptarë, të cilëve u është urdhëruar të ulen në tokë, e më pas janë rrahur brutalisht me shkopinj druri. Një pjesë e madhe e civilëve janë ngarkuar në kamionë dhe dërguar në burgun e Smrekonicës.
Në të njëjtën ditë, sipas aktakuzës, 72 civilë janë ekzekutuar, ndërsa personat e dërguar në burg janë marrë në pyetje, torturuar dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore, për t’u deportuar më pas në drejtim të Shqipërisë.
Gjykata ka vlerësuar se për këto veprime ekzistojnë prova të mjaftueshme që e lidhin Trajkoviqin me krimet e kryera, duke e shpallur atë fajtor për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.
Në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i pandehuri obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore.