Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen po qëndron për vizitë në Prishtinë, në kohën kur vendi po bëhet gati për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvend dhe formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Herët në mëngjes, ai shkoi në zyrën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Pas takimit njëorësh aty, Sorensen vazhdoi drejt Presidencës.
Me të përfunduar takimin, po ashtu njëorësh, me presidenten Vjosa Osmani, Përfaqësuesi i Posaçëm i bllokut 27-anëtarësh foli për formimin e institucioneve të reja dhe vazhdimin e procesit të dialogut.
“Përgëzime për zgjedhjet e porsa mbajtura, mezi pres që të konstituohet Kuvendi dhe formohet Qeveria. Sikur më 2025 ne vazhdojmë të punojmë në çështjet e dialogut të cilat i kemi përpara nesh, personalisht me shpresë të lartë që 2026-ta të sjellë atë që nuk e bëri 2025-ta. Për këtë arsye kam filluar vitin me një udhëtim pune këtu dhe më vonë gjatë javës në Beograd”, ka deklaruar Sorensen.
Por, emisari evropian, të cilit pritet t’i zyrtarizohet vazhdimi i mandatit nga Marsi, nuk ishte shumë i sigurt për mundësinë e organizimit të një takimit të nivelit të lartë, teksa u përgjigj për kushtin që Kosova ka vënë që paraprakisht Serbia dorëzojë krye-terroristin Milan Radojçiq dhe të akuzuarit tjerë në rastin Banjska.
Peter Sorensen, Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi
“Ajo që do të bëjmë është ajo që bota na ka kërkuar të bëjmë, duke lehtësuar dialogun, të sigurohemi që dy palët të ulen dhe të bisedojnë. Kështu që duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin, vitin e kaluar, dhe mori zotime se kur t vijë koha e duhur do të ketë takim. Ajo do ta thërrasë njerëzit që do të vijnë dhe do të shohim. Duhet të shohim”.
Ndërkohë, Presidentja Osmani pas takimit lëshoi një njoftim të shkruar për diskutimet që pati me Sorensenin, duke vënë në pah se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin.
“Në takim, Presidentja Osmani, theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve. Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.
Kryeministri në detyrë, ndërkaq, sipas një komunikate, ia përsëriti emisarit evropian që për dialog konstruktiv Serbia duhet të dorëzoj Radojçiqin, të tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq dhe të nënshkruajë marrëveshjen bazë dhe shtojcën.
Pasdite, Sorensen vazhdoi me takime me krerët e partive opozitare në Kosovë, para se të niset për Beograd, ku më 15 Janar do të zhvillojë takime me krerët e shtetit serb.