Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Pas takimeve të zhvilluara në Prishtinë, Sorensen u shpreh se për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë, gjërat mund të marrin më shumë kohë.
“Sapo pata takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si t’i implementojmë marrëveshjet, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, u shpreh emisari evropian.
Kosova aktualisht udhëhiqet nga një qeveri në detyrë, çka ka kufizuar kapacitetet për vendimmarrje në procesin e dialogut.