Edhe pas gjashtë muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja të dala nga zgjedhjet e shkurtit.
Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, sot në orën 11:00 pritet të zhvillohet për herë të 55-të vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në aktgjykim, Gjykata ka rikujtuar se me vendimin e 26 qershorit 2025 kishte konstatuar se seanca konstituive është një akt kushtetues që duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Procesi megjithatë ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve me përqindjen më të madhe të votave, insiston në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Ky propozim kundërshtohet nga PDK, LDK dhe AAK, të cilat e konsiderojnë emrin e Haxhiut si të papranueshëm, duke theksuar se nuk është figurë unifikuese. PDK dhe AAK kërkojnë që Vetëvendosje të propozojë një kandidat tjetër, ndërsa LVV ngul këmbë se ka të drejtë të paraqesë kandidatin që dëshiron, si parti më e votuar.
Nga ana tjetër, LDK ka bërë të qartë se nuk do të votojë asnjë kandidat të propozuar nga Vetëvendosje për postin e kryeparlamentarit.