Kryeministri britanik Keir Starmer do të drejtojë një mbledhje emergjente të hënën për të diskutuar ndikimin ekonomik të luftës në Iran, njofton qeveria britanike.
Në takim do të marrin pjesë edhe ministrja e Financave Rachel Reeves dhe guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey.
Tregjet financiare pritet të përballen me një javë të paqëndrueshme, pasi Irani ka paralajmëruar se do të godasë infrastrukturën energjetike dhe ujore të vendeve të Gjirit nëse SHBA realizon kërcënimin për të shkatërruar centralet energjetike iraniane në rast se nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit, raporton The Guardian.
Britania po e ndjek situatën me shqetësim të veçantë, për shkak të varësisë së lartë nga importet e gazit natyror, inflacionit të lartë dhe financave publike të brishta, që kanë ndikuar në rënien e obligacioneve shtetërore më shumë se në vendet e tjera.
Ministria britanike e Financave bëri të ditur se në mbledhjen e ashtuquajtur “Cobra” do të diskutohen ndikimet e krizës për familjet dhe bizneset, siguria energjetike, si dhe qëndrueshmëria e industrisë dhe zinxhirëve të furnizimit. Në takim do të marrin pjesë edhe ministrja e Brendshme Yvette Cooper dhe ministri i Energjisë Ed Miliband.
Ministrja e Financave, Reeves, tha se është ende herët për të vlerësuar ndikimin e plotë të luftës në ekonomi, por theksoi se po shqyrtohen masa të targetuara për të ndihmuar qytetarët.
Ndërkohë, Starmer dhe presidenti amerikan Donald Trump zhvilluan një bisedë telefonike, ku diskutuan situatën në Lindjen e Mesme dhe theksuan rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit për stabilitetin e tregtisë globale.