Kryeministri britanik, Keir Starmer ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar nuk do të tërhiqet përballë presionit të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me kundërshtimin e saj ndaj kërkesës së SHBA-së për të marrë nën kontroll Grenlandën.
Starmer tha se Trump ka ndryshuar qëndrim ndaj marrëveshjes për Ishujt Çagos, duke e përdorur atë si mjet presioni ndaj Britanisë për çështjen e Grenlandës.
Sipas tij, presidenti amerikan kishte shprehur më herët mbështetje për marrëveshjen që parashikon kalimin e sovranitetit të Ishujve Çagos te Mauritius, në këmbim të garantimit të së ardhmes së një baze ajrore SHBA–Britani në Oqeanin Indian.
Duke folur në parlament, Starmer bëri thirrje për “diskutime të qeta” rreth Grenlandës dhe theksoi se nuk dëshiron përshkallëzim të një lufte tregtare, pas kërcënimeve të Trump për tarifa ndaj Britanisë dhe vendeve të tjera evropiane nëse nuk lejohet blerja e Grenlandës.
Një ditë më vonë, Trump e cilësoi Britaninë si “budallaqe dhe të dobët” për pranimin e marrëveshjes për Ishujt Çagos, ndonëse administrata e tij kishte shprehur mbështetje kur marrëveshja u bë publike.
Megjithëse ka kërkuar të ruajë marrëdhënie të ngushta me Trump për arsye tregtare dhe të sigurisë, Starmer u shpreh me tone të forta se nuk do të pranojë presion apo kërcënime për të ndryshuar qëndrimin e Britanisë mbi Grenlandën.
“Nuk do të tërhiqem. Britania nuk do të tërhiqet nga parimet dhe vlerat tona për të ardhmen e Grenlandës, nën kërcënime me tarifa. Ky është qëndrimi im i qartë,” tha Starmer, duke njoftuar se kryeministrja e Danimarkës do të vizitojë Londrën të enjten.
Ai shtoi se kritikat e Trump për marrëveshjen e Çagos janë përdorur qëllimisht për të ushtruar presion ndaj Britanisë.
“Presidenti Trump dje përdori një gjuhë ndryshe nga deklaratat e mëparshme mbështetëse, pikërisht për të më vënë nën presion mua dhe Britaninë për qëndrimin tonë mbi Grenlandën,” tha Starmer.
Në përgjigje të thirrjeve të disa deputetëve për një qëndrim edhe më të ashpër ndaj Trump, Starmer theksoi se bashkëpunimi me SHBA-në mbetet jetik, veçanërisht për çështje si Ukraina.
“Kjo nuk do të thotë se pajtohemi me SHBA-në për çdo gjë, por do të ishte e pamatur të shkatërronim marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara, të braktisnim Ukrainën dhe shumë çështje të tjera që janë thelbësore për mbrojtjen, sigurinë dhe inteligjencën tonë,” ka deklaruar ai, raporton Reuters.