Stoltenberg: Situata në Ballkan e brishtë, me potencial për tensione në Kosovë e Bosnje

“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Kjo ka bërë që NATO-ja menjëherë të angazhojë forca shtesë në Kosovë“, ka deklaruar shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg

Jens Stoltenberg - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s

NATO-ja beson se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është ende shumë e brishtë, dhe ka potencial për tensione në Kosovë dhe Bosnje – Hercegovinë.

Kështu ka thënë të premten prej Brukselit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Ai ka thënë se NATO-ja është e gatshme të kryejë mandatin e saj në Kosovë për të garantuar stabilitet, ashtu sikurse në Bosnje e Hercegovinë.

Ballkani Perëndimor, forcimi i NATO-s, dhe përgatitjet për samitin e Washingtonit, kanë qenë temat kryesore të këtij takimi.

“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Kjo ka bërë që NATO-ja menjëherë të angazhojë forca shtesë në Kosovë“, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka paralajmëruar se javën që vjen, Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë politik i aleancës, do të vizitojë Bosnje – Hercegovinën, për të dëshmuar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e parezervë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës.

Stoltenberg e ka falënderuar Malin e Zi për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe për rolin konstruktiv për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.

Kryeministri i Malit të Zi, Spajiq, ka thënë se për vendin e tij, stabiliteti në Kosovë ka rëndësi të veçantë dhe, në rast nevoje, Mali i Zi është i gatshëm për të rritur praninë e ushtarëve të saj në misionin e KFOR-it.

Spajiq ka thënë se Mali i Zi mbetet anëtar besnik i aleancës së NATO-s, dhe i përkushtuar për të avancuar në procesin e integrimeve në BE.

Ai ka thënë se për vitin 2024, Mali i Zi ka ndarë më shumë se 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për mbrojtje, që është në përputhje me kërkesat e NATO-s ndaj të gjitha vendeve anëtare.

Shefi i aleancës ka thënë se NATO-ja ka bashkëpunim të ngushtë me BE-në, kur janë në pyetje vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai e ka nënvizuar sidomos rëndësinë e mbështetjes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas sulmeve të armatosura kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar – ku është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku – NATO-ja e ka përforcuar misionin e vet KFOR-in në Kosovë, dhe tani numëron 4.500 pjesëtarë.

Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për sulmin, ndonëse kjo e fundit ka mohuar gjithçka.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) tashmë ka lëshuar fletarrestim për të./REL

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika