Më shumë se 8,000 fluturime në të gjithë Shtetet e Bashkuara, të planifikuara për t’u nisur gjatë fundjavës, janë anuluar për shkak të një stuhie të fuqishme dimërore që pritet të shkaktojë kaos në pjesën më të madhe të vendit, duke kërcënuar me ndërprerje të energjisë elektrike për disa ditë dhe bllokim të rrugëve kryesore.
Rreth 140 milionë njerëz ndodheshin nën paralajmërim për stuhi dimërore, nga New Mexico deri në New England.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëron për reshje të dendura bore dhe një sasi akulli që shtrihet nga Teksasi lindor deri në Karolinën e Veriut, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Sipas meteorologëve, dëmet – veçanërisht në zonat e goditura nga akulli – mund të jenë të krahasueshme me ato të një uragani.
Deri të premten në mbrëmje, skajet e stuhisë kishin sjellë shi ngrirës dhe borë të përzier me akull në disa pjesë të Teksasit, ndërsa borë dhe akull po binin në Oklahoma. Pas kalimit nëpër jug të vendit, stuhia pritej të zhvendosej drejt verilindjes, duke lënë rreth 30 centimetra borë nga Uashingtoni deri në Nju Jork dhe Boston, sipas parashikimeve zyrtare.
Guvernatorët e shumë shteteve kanë ngritur alarmin për kushtet e rënda të motit, duke shpallur gjendje emergjente ose duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi.
SHBA-ja përgatitet për stuhi dimërore, temperaturat pritet të bien deri në -46 gradë