Stuhitë e forta që përfshinë Ballkanin gjatë natës kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa vende të rajonit, duke goditur rëndë bujqësinë, infrastrukturën dhe pronën private.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, rajoni i Hercegovinës ishte ndër më të prekurit, veçanërisht zona e Nevesinjës. Kryetari i bashkisë, Milenko Avdaloviç, bëri të ditur se dëmet në bujqësi arrijnë në miliona marka boshnjake.
Sipas tij, stuhia shkatërroi pothuajse tërësisht të mbjellat me patate, qepë dhe lakra, si dhe pemishtet, ndërsa dëme të mëdha u regjistruan edhe në vreshtat e Grudes dhe Ljubushkit.
Edhe Maqedonia e Veriut u përball me mot ekstrem. Erërat arritën shpejtësi deri në 134 kilometra në orë në Shtip dhe 130 kilometra në orë në Shkup, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Qendra për Menaxhimin e Krizave njoftoi se numri emergjent 112 pranoi mbi 9 mijë telefonata, ndërsa 10 persona mbetën të lënduar si pasojë e stuhisë.
Në Shkup u dëmtuan më shumë se 100 automjete, u rrëzuan 189 pemë dhe u dëmtuan disa objekte publike, përfshirë ndërtesën e Presidencës, disa ministri dhe aeroportin.
Mot i ashpër u regjistrua edhe në Kroaci, sidomos përgjatë bregdetit të Adriatikut. Në ishullin Hvar, niveli i detit u rrit me rreth 1.5 metra, duke përmbytur shëtitoren dhe disa rrugë në qytetin Stari Grad. Rritje të nivelit të detit u shënuan edhe në ishujt Vis dhe Korçula, megjithëse pa pasoja të mëdha materiale.
Ekspertët paralajmërojnë se ngjarje të tilla ekstreme pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale të lidhur me emetimet e gazeve serrë, duke rritur rrezikun për komunitetet dhe ekonominë në të gjithë rajonin.