Stuhitë e borës bllokojnë Evropën, qindra fluturime të anuluara dhe mijëra pasagjerë të bllokuar

Më shumë se 1,000 pasagjerë të bllokuar e kaluan natën në aeroportin ndërkombëtar të Amsterdamit, ndërsa bora dhe akulli që kanë goditur disa pjesë të Evropës kanë ndalur qindra fluturime dhe kanë paralizuar autostradat dhe linjat hekurudhore të mërkurën.

Në Paris, një skiator u pa duke rrëshqitur përgjatë bregut të mbuluar me dëborë të lumit Senë, ndërsa rrugët dhe parqet përreth Kullës Eiffel dhe Muzeut të Luvrit u mbuluan nga bora, duke shkaktuar kaos në trafik në disa zona të Francës, shkruan AP, transmeton Dukagjini.

Në Berlin pati edhe lajme pozitive për disa banorë, pasi autoritetet njoftuan se energjia elektrike po rikthehej në mijëra shtëpi që kishin mbetur pa rrymë për katër ditë në temperatura ngrirëse, pas një sulmi të dyshuar nga ekstremi i majtë ndaj linjave të tensionit të lartë.

Aeroporti Schiphol, në periferi të Amsterdamit, vendosi qindra shtretër të përkohshëm gjatë natës dhe u shërbeu mëngjes udhëtarëve të lodhur, ndërsa stafi punonte për pastrimin e pistave nga bora dhe shkrirjen e akullit në avionë.

Të paktën 800 fluturime u anuluan të mërkurën në këtë aeroport, një nga nyjet më të mëdha ajrore në Evropë.

Sonja Wurmlingel, e cila po përpiqej të kthehej në Argjentinë, u përball me anulime të njëpasnjëshme. Fillimisht ajo duhej të fluturonte përmes Dyseldorfit, por fluturimi u anulua. Më pas u ridrejtua përmes Parisit, por edhe ai fluturim u anulua. Opsioni i radhës ishte të udhëtonte me tren drejt Dyseldorfit.

“Erdha nga stacioni i trenit dhe më thanë se nuk ka tren,” tha ajo.

Kompania ajrore kombëtare holandeze KLM njoftoi se radhët në aeroport po zvogëloheshin, pjesërisht sepse pasagjerët ishin paralajmëruar me kohë për anulimin e fluturimeve dhe nuk ishin nisur drejt aeroportit.

Rrjeti hekurudhor dhe rrugor i Holandës u godit rëndë nga reshjet e reja të borës gjatë orëve të pikut të mëngjesit, ndërsa stuhi të tjera u parashikuan më vonë gjatë ditës. Operatori hekurudhor NS u bëri thirrje udhëtarëve që të “shtyjnë udhëtimin nëse është e mundur”, duke paralajmëruar se do të qarkullonin më pak trena për shkak të kushteve të vështira.

Edhe drejtuesit e automjeteve u përballën me vështirësi, pasi mbi 700 kilometra kolona trafiku u regjistruan në rrugët e vendit, me kamionë që rrëshqitnin në autostrada dhe borëpastruese që lëviznin me shpejtësi të ulët.

Borë në Paris

Shërbimi kombëtar meteorologjik francez, Meteo France, njoftoi se pjesë të mëdha të veriut dhe perëndimit të Francës, përfshirë rajonin e Parisit, ishin në alarm për borë dhe akull të zi. Autoritetet franceze këshilluan qytetarët të punonin nga shtëpia dhe të shmangnin përdorimin e automjeteve. Kamionët dhe autobusët shkollorë u ndaluan të qarkullonin, ndërsa trafiku i autobusëve në Paris u pezullua të mërkurën në mëngjes.

Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, tha se mbi 100 fluturime u anuluan në aeroportin Charles de Gaulle dhe rreth 40 të tjera në aeroportin Orly.

Kompania hekurudhore SNCF paralajmëroi për vonesa dhe ndërprerje, duke theksuar se bora në shina po detyronte uljen e shpejtësisë së trenave dhe anulimin ose rregullimin e qarkullimit. Edhe trenat Eurostar mes Parisit, Londrës dhe Brukselit po pësonin vonesa.

Dimër i ashpër edhe në Skandinavi

Edhe vendet më të mësuara me dimra të ashpër raportuan probleme. Në Suedinë perëndimore, reshjet e dendura të borës detyruan autoritetet në Goteborg të nxirrnin jashtë funksioni të gjithë tramvajet e qytetit, pasi grumbujt e borës përbënin rrezik për trafikun.

Në Finlandë, vështirësitë në ndezjen e autobusëve me naftë që kishin qëndruar në të ftohtë gjatë festave dhe kushtet e këqija të rrugëve çuan në anulime dhe vonesa të transportit publik në zonën e Helsinkit, raportoi transmetuesi publik Yle.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika