Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan sot se kanë përfunduar sulmin më të madh të koordinuar në Liban që nga fillimi i luftës, duke pretenduar se kanë goditur më shumë se 100 qendra komanduese dhe objekte ushtarake të grupit militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani.
“IDF përfundoi një valë të gjerë sulmesh që synonin qendrat komanduese dhe objektet ushtarake të Hezbollahut në Bejrut, Bekaa dhe në jug të Libanit,” thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite të mërkurën, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Pjesa më e madhe e infrastrukturës së goditur ndodhej brenda zonave të populluara civile, si pjesë e shfrytëzimit cinik të civilëve libanezë nga Hezbollah si mburoja njerëzore për të mbrojtur operacionet e tij,” thuhet më tej në deklaratë.
Në deklaratë shtohet se “IDF vazhdon të veprojë me vendosmëri kundër Hezbollahut dhe nuk do të lejojë që të dëmtohen civilët e Shtetit të Izraelit”, pas deklaratës së mëhershme të zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu se armëpushimi me Iranin nuk përfshin Libanin.
Sipas përditësimit të fundit nga ministria e shëndetësisë e Libanit, të paktën 1,530 persona janë vrarë, përfshirë 130 fëmijë, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur që nga fillimi i bombardimeve izraelite.
Forcat izraelite lëshojnë paralajmërime të reja për evakuim për banorët në Liban